Subscribe

Autoritetet shqiptare nisën këtë të premte dosjen, e cila përmban kërkesën për ekstradimin e Arben Frrokut. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë thanë se dokumentacioni është nisur drejt Holandës e cila pritet dhe të bëjë ekstradimin e 51-vjeçarit ne Shqipëri.
Në dosje është përfshirë edhe vendimi i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, e cila dënon me burgim të përjetshëm Frrokun, duke e shpallur fajtor për vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 24 shkurtit të vitit 2013.
Zërat për ndalimin e tij qarkullonin prej disa ditësh ndërkohë që edhe pse u pyetën zyrtarisht, autoritetet e policisë e mohuan kategorikisht ndalimin. Por më pas policia u detyrua te pranonte se Arben Frroku ishte ne duart e autoriteteve Holandëz me një identitet të rremë.
Ne prill te 2015-es ai fitoi pafajësinë nga Gjykata e Shkallës së Parë që refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ta dënuar me burgim të përjetshëm.
Pasi e mbajti nën gjykim për 13 muaj rresht, Gjykata e Shkallës së Parë tha se provat e akuzës ishin të servirura qëllimisht, kurse rrëfimi i dëshmitarit të mbrojtur nga shteti u cilësuan si kontradiktor.
Menjëherë pas këtij vendimi, biznesmeni Arben Frroku la ambientet e paraburgimit. Në një kohë që prokuroria apeloi këtë vendim shkalla e dytë e krimeve të rënda e dënoi në qershor Arben Frrokun me burgim të përjetshëm. Por sërish në padijeni të autoriteteve policore Frroku kishte lënë Shqipërinë. Dritan Lamaj, ish-shef i Komisariatit nr. 6 në Tiranë u ekzekutua nga breshëri kallashnikovi në zonën e “Vasil Shantos” teksa sapo parkonte automjetin pranë shtëpisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *