Pirro Vëngu ka nisur një vizitë zyrtare në Kosovë, duke shënuar kështu ndalesën e parë jashtë vendit si ministër i mbrojtjes.
Vëngu u prit fillimisht me ceremoni zyrtare nga homologu Ejup Maqedonci, shoqëruar me togun ceremonial të forcave të sigurisë së Kosovës.
Në konferencën e përbashkët për shtyp diskutuan për thellimin dhe bashkëpunimin sidomos në fushën e mbrojtjes e sigurisë.
“Ndër vite kemi kultivuar raporte të shkëlqyera në aspektin e mbrojtjes, vlerësuam se ka mundësi për thellim dhe zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë ushtarake që po paraqitet si nevojë”, tha ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci.
Ministri Vëngu tha se dy vendet qëndrojnë së bashku për të gjitha situatat e sigurisë, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët .
“Gjithashtu situata e sigurisë në rajon qoftë në leximin e Kosovës apo aleanca KFOR-i duhet ndërvepruar në çdo rast”, u shpreh Vëngu.
Gjatë vizitës në Kosovës, ministri Vëngu u prit në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti, me të cilin folën për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, stabilitetin rajonal dhe ndërveprimin e domosdoshëm me aleatët./vizionplus.tv





