Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar tha në Prishtinë se Lëvizja Hizmet e klerikut Fetullah Gulen, mund të paraqesë kërcënim për shtetin e Kosovës.

Turqia i referohet kësaj lëvizjeje me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.

Gjatë një konference për media së bashku me homologun e tij kosovar, Akar tha se me palën kosovare kanë takime edhe për çështjen e Lëvizjes Hizmet dhe se Turqia pret “hapa konkretë” në këtë drejtim.

“Kjo çështje nuk është kërcënuese vetëm për shtetin tonë, por mund të jetë kërcënuese edhe për shtetin e Kosovës. Në këtë aspekt, nga miqtë tanë kosovarë dhe nga institucionet kosovare po presim të ndërmerren hapa konkretë”, tha ministri turk.

Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Arrestimit dhe dëbimit i ka paraprirë revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit në Kosovë.

Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.

Ankaraja e ka shpallur terroriste lëvizjen “Hizmet” në maj të vitit 2016, duke i akuzuar mbështetësit e saj për përpjekje për të rrëzuar Qeverinë turke.

Gulen ka qenë aleat i presidentit aktual të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deri në vitin 2013.

Në atë kohë, policë dhe prokurorë që janë parë si përkrahës të Gulenit, kanë hapur hetime për korrupsion në rrethin e ngushtë të Erdoganit.

Erdogan ka thënë se Gulen ka bërë komplot për ta rrëzuar Qeverinë e tij në vitin 2016, duke ndërtuar një rrjet mbështetësish në media, gjyqësor dhe arsim, që do të ngriheshin kundër tij. Gulen i ka hedhur poshtë këto akuza.

Që nga puçi i dështuar, autoritetet turke kanë arrestuar mijëra njerëz, nën dyshimet se kanë lidhje me Gulenin./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published.