Siguria ushqimore në vend është përmirësuar ndjeshëm dhe inspektorët e autoritetit kombëtar të ushqimit janë vazhdimisht në kontrolle të produkteve ushqimore. Kështu është shprehur ministri bujqësisë Edmond Panariti pas vizitës që ka kryer në mjediset e reja të autoritetit kombëtar të ushqimit dhe laboratorëve të tij. Panariti ka falënderuar Bashkimin Evropian që ka akorduar fondet për ndërtimin e 7 laboratorëve rajonale duke rritur ndjeshëm sigurinë ushqimore të konsumatorëve tanë.
Laboratorët e AKU-së në Durrës janë vizituar edhe nga zv/ministrja e Integrimit Erisa Xhixha dhe zyrtarë të prezencës së delegacionit të BE-së në vendin tonë. Zv/ministrja Xhixho u shpreh se siguria ushqimore është detyrim dhe prioritet që bashkimi evropian ka caktuar për vendin tonë në kuadër të hapjes së negociatave për anëtarësim dhe është pjesë e 35 kapitujve që do të negociohen së shpejti.
Jan Rudolf përgjegjës politik I prezencës së BE-së u shpreh se pavarësisht se vëmendja më e madhe e BE-së është përqendruar tek reforma në drejtësi, ne do vazhdojmë të mbështesim edhe sektorë të tjerë për zhvillimin e sektorëve jetikë të Shqipërisë.
Bashkimi evropian në kuadër të programit IPA 2009 nisi investimin për ndërtimin e godinës së re së bashku me laboratorët me vlerë totale 5 milion euro. Godina trekatëshe ka dy vite që ka përfunduar dhe laboratorët e saj zënë afërsisht një të katërtën e sipërfaqes. Bashkimi evropian ka miratuar një shumë prej 71 milion euro për vendin tonë, të cilat do të përfitohen përgjatë 5 viteve në vazhdim deri në vitin 2020 me destinacion investime të reja në prodhimin dhe përpunimin e ushqimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *