Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi tha se Teherani është i hapur për negociata “indirekte” me Shtetet e Bashkuara, pas ultimatumit të Donald Trump në lidhje me një marrëveshje të re mbi programin bërthamor të vendit.
“Rruga është e hapur për negociata indirekte”, vuri në dukje Araghchi, ndërsa refuzoi negociatat e drejtpërdrejta me Uashingtonin, “për sa kohë që qasja e palës tjetër ndaj Republikës Islamike mbetet e njëjtë.”
Në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë (2017-2021), Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA- në nga marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor iranian dhe rivendosi sanksionet ndaj Teheranit.
Vendet perëndimore, të udhëhequra nga SHBA, kanë dyshuar për dekada se Teherani po kërkon të marrë armë bërthamore.
Irani i hedh poshtë këto akuza dhe deklaron se aktivitetet e tij bërthamore kanë qëllime civile, veçanërisht prodhimin e energjisë.
Më 7 mars, Trump tha se i kishte shkruar një letër Iranit për të propozuar negociata, që synonin parandalimin e Teheranit nga zhvillimi i armëve bërthamore.
Të enjten e kaluar, Araghchi tha se letra e Trump është “më shumë një kërcënim”, por gjithashtu duket se përmban mundësi, duke shtuar se Teherani do të përgjigjet së shpejti./vizionplus.tv