Viti 2026 parashikon që të ketë për herë të parë një indeksim të pagave në administratën publike në masën 2.5%. Por ndërkohë disa kategori të nëpunësve publikë do të kenë edhe rritje page. Ministri i Financave Petrit Malaj ka sqaruar se kush përfiton nga punonjësit e administratës.
“Përfitues të indeksimit janë të gjithë punonjësit nga shoferi deri te niveli më i lartë. Ndërsa për disa kategori do të kemi rritje të pagave. Konkretisht, punonjësit e shërbimeve mbështetëse ku përfshihen shoferët, sanitarë, arkivistë, protokoll etj. Por rritje do të përfitojnë dhe infermierët, mjekët dhe policët, që për herë të parë do tu njihet vjetërsia në punë. Rritja për këta të fundit arrin deri në 25%”, tha Malaj në Vizion Plus.
Sipas të dhënave, fondit për rritjen dhe indeksimin e pagave kap vlerën e 100 milionë eurove dhe pritet të nisin nga janari. Ndërkohë indeksimi do të aplikohet një herë në dy vite, çka do të thotë në 2028-n do të jetë indeksimi i radhës, si një masë që ruan fuqinë blerëse të individëve që preken nga inflacioni.
/vizionplus.tv





