Subscribe

Ministri i ri i Brendshëm Taulant Balla mblodhi të gjitha strukturat drejtuese të policisë së shtetit duke dhënë porosite kryesore të punës dhe duke caktuar edhe prioritetet e punës së tij në krye të Ministrisë.

 

Balla kërkoi nga strukturat e policisë ë të mos pranojnë asnjë ndërhyrje, sidomos nga deputetet duke marrë shkak edhe nga rasti I fundit kur të afërmit e  deputetit Rraja u përshinë në skandalin e dhunimit të një fisi tjetër për shkak të një guroreje në Borizane të Krujës.

 

Unë vij nga një jetë e tërë tanimë si deputet dhe mes deputetëve. Besoj se nëse do bëhej një garë se kush e kupton dhe e vlerëson më shumë rolin e deputetit, do të isha një pretendent serioz për ta fituar. Por asnjë deputet nuk duhet dhe nuk mund të ndërhyjë në punën tuaj, prandaj kush do të pranojë ndërhyrje nga deputetët për çfarëdo lloj aspekti konkret në dinamikën e kryerjes së detyrës së vet, nuk do të mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar më tej në detyrë. Deputeti ka detyrë t’ju drejtohet për çdo shqetësim, ju keni detyrë t’i dëgjoni me respekt sa herë ju bie telefoni prej deputetëve, por për çdo rast që arsyeja e telefonatës përbën ndërhyrje në kryerjen e detyrës suaj, ju kërkoj që deputetin ta drejtoni tek unë. Besoj vetëkuptohet që kur them këtë për deputetin, ndërhyrja e kujtdo tjetër është e papranueshme. Respekt maksimal në komunikim me këdo, mirësjellje dhe durim për këdo, po përzierje të kujtdo në detyrën tuaj në asnjë rast apo mënyrë.Ky është standarti i kërkuar nga Kryeministri qysh në mbledhjen e parë te Grupit Parlamentar në vitin 2013, me theks të posaçëm tek Policia e Shtetit, ky është standarti i kërkuar nga të gjithë kolegët që më kanë pararendur, po ky është një standart që duhet aplikuar 100% dhe nëse më parë drejtues e shefa policie kanë çeduar nga ky standard, unë nuk do të çedoj në asnjë rast në masat që do të merren drejt tyre, për çedim ndaj ndikimeve nga jashtë.

 

 

Balla garantoi se do të punojë për të përmirësuar kushtet e punës për punonjësit e policisë si dhe 100 banesa për familjet e reja të efektiveve..

 

 

Nga ana tjetër, unë do të kujdesem posaçërisht për rritjen e standartit të jetesës të punonjësve të policisë dhe përmirësimin e kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja, pa harruar që nga sot sistemimin përfundimtar të të gjitha familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës, fëmijët e të cilëve janë fëmijët tanë. Prandaj nga nesër do të fillojmë të trajtojmë problemin e banimit për ata që shërbejnë në qytete të ndryshme nga qyteti ku kanë familjen dhe do të hapim rrugën e aplikimeve për 100 banesat e para për vitin 2023, të cilat do t`u jepen familjeve të reja të punonjësve të policisë. Kriteret do të përcaktohen në ditët në vijim.

 

 

Lufta kundër kanabisit sipas tij duhet të jetë një nga aspektet kryesore të punës së policisë së shtetit.

 

 

E kam vlerësuar si deputet deri dje dhe nuk kam si të mos e vlerësoj me respekt si ministër sot, përpjekjen kolosale të bërë deri më tani nga Policia e Shtetit kundër kultivimit të lëndëve narkotike, por s’kam sesi të mos ju kërkoj sot që kjo luftë të vazhdojë edhe më fort, përderisa përsëri e përsëri, tek apo tuk, kanabisi rinxjerr kokën sapo policia e kthen kokën nga ana tjetër. Ndaj ju lutem, mos të më thotë askush se një rrënjë kanabisi e ka një shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë dhe se një parcelë kanabisi e ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur.

 

 

Mirëpo Ministri Balla tha se po kaq të rëndësishme janë edhe cështje që lidhen me imazhin e punonjësit të policisëm, kodi etik dhe lufta kundër korrupsionit brenda vete radheve të uniformave blu.

 

 

Ka një kod etik të kahershëm tanimë, por të pazbatuar deri tani, që thotë se drejtuesit e policisë së shtetit nuk mund të ulen nëpër kafe e restorante as gjatë pune, as pas pune, përveçse për arsye familjare apo arsye të tjera për të cilat kanë vënë më parë në dijeni eprorët. Por jo vetëm kështu nuk ndodh, por ndodh fatkeqësisht që edhe që drejtorë e shefa komisariatesh, të kenë kontakte të papërshtatshme nëpër lokale, ku deri edhe u përcillen kriminelëve informacione sensitive të punës dhe të aksioneve policore. Natyrisht edhe në rrugë të tjera, po kjo rrugë që po them është përveçse po aq skandaloze sa të tjerat, edhe një karshëllëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, përveçëse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues për punonjësit e Policisë së Shtetit në vartësinë e drejtorëve e shefave të këtij profili kaq të ulët moral.Lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë nesh, por së pari brenda rradhëve tona. Agjencia e Mbikqyrjes Policore është krijuar me një ligj të punuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, në parlament e kemi konsideruar si një ligj të rëndësisë së veçantë, të cilin e njoh mirë dhe e kam mirë parasysh sa pritshmëri kemi pasur kur e kemi miratuar këtë ligj. Pyetja ime kaq kohë pas krijimit të Agjencisë si një derivat i SHKB-së së dikurshme, sa drejtues a shefa komisariatesh të Policisë së Shtetit janë kapur me presh në duar? Nuk i vë në diskutim këtu rezultatet e agjencisë, të kuptohemi qartë, por ama nuk mund të mos vë në diskutim faktin se pas statistikave të saj qëndron e vërteta se janë goditur shumë keqbërës të vegjël nën uniformë, por keqbërës të mëdhenj më shumë se sa pak, për të mos thënë aspak!

 

Balla shtoi se nuk eshte qellimi i tij te beje “spastrime” ne radhet e policise se shtetit, por paralajmeroi se kushdo qe nuk do ti pergjigjet seriozitetit, integritetit dhe ritmin te punes nuk do te qendroje ne pozicionin qe ka.

 

Ka ndodhur në të shkuarën që paraardhës të nderuar të mitë në këtë detyrë e kanë nisur punën e tyre duke ndërruar drejtuesit dhe shefat.Unë nuk e ndjej sot veten më të zotin se askush nga ju dhe nuk e shoh të udhës që të gjykoj asnjërin prej jush nga lartësia e detyrës sime. Jam këtu për t’ju udhëhequr, duke ju dëgjuar, duke ju mbështetur, duke mësuar prej jush dhe duke zbritur në çdo nivel të veprimtarisë së kësaj ministrie, në çdo zyrë e komisariat, nga Tropoja deri në Konispol.Natyrisht fakti që unë e marr stafetën nga një koleg dhe shok i mirënjohur për seriozitetin dhe për korrektesën e tij, në një fazë kur reformimi i sektorit ka tanimë 10 vite që ka nisur, ma bën më të lehtë se sa sikur të më duhej të nisja gjithçka nga e para.E sotmja s’ka krahasim me të shkuarën dhe gur pas guri ndërtimi i murit të shtetit në këtë sektor ka avancuar në mënyrë të dukshme dhe të padiskutueshme. Por e ardhmja nuk duhet të ketë krahasim me të sotmen dhe unë jam këtu me detyrën për të vazhduar me ju ndërtimin e murit, edhe më mirë, edhe më shpejt, duke përmirësuar çdo gjë, në çdo drejtim.Kush do të jetë i gatshëm për ta bërë këtë në pozicionin që ka në vijën e këtij fronti të përbashkët, do të ketë mbështetjen time pa rezerva në çdo hap dhe derën time të hapur pa orar për çdo nevojë. Ndërsa kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të shkuar përtej vetes, duke e rritur kontributin për kauzën e përbashkët, do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *