Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka përforcuar qëndrimin e Tiranës zyrtare ndaj ngjarjeve në Banjskë të Zveçanit, duke theksuar se Kosova do të ketë gjithmonë mbështetjen e Shqipërisë. Hasani theksoi nga foltorja e Kuvendit se Shqipëria do t’i japë zë Kosovës në çdo hapësirë e platformë ndërkombëtare.

 

“Dy ditë më parë, Shqipëria u zgjodh në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, me një rezultat mbresëlënës duke i prerë rrugën kandidaturës së Rusisë, duke materializuar kështu, me një punë të shkëlqyer, jo vetëm një synim tjetër madhor në ndërveprimin tonë ndërkombëtar por edhe duke mbrojtur njëkohësisht në sytë e opinionit publik mbarë-botëror edhe besueshmërinë e OKB-së dhe atë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut njëkohësisht. Kurdo që të ketë nevojë, në do të përcjellim atje edhe zërin e Kosovës.   Javën e ardhshme, ne do të organizojmë në Nju Jork, një takim të formatit Arria të Këshillit të Sigurimit kushtuar pandëshkueshmërisë së krimeve gjatë konfliktit. Përfaqësues të lartë nga Kosova do të ketë mundësinë të ndajnë me mbarë botën, në forumin më të lartë ndërkombëtar, jo vetëm eksperiencën e dhimbshme të grave e vajzave kosovare, viktima të sulmeve barbare të ushtrisë së Miloshevicit por edhe domosdoshmërinë për të bërë çmos për të vënë autorët para drejtësisë”, theksoi ai.

 

Ministri i Jashtëm dënoi sërish qëndrimin e Serbisë lidhur me ngjarjet në veri, duke theksuar se shpallja e zisë kombëtare ishte sinjali më i rrezikshëm që mund t’i jepte rajonit.

 

“Është një gjest që shkon në drejtim të kundërt me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar, BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve, në Kosovë dhe rajon. Shkon ndesh edhe me deklarimet e vetë Serbisë për gatishmërinë për marrëveshje e zgjidhje përfundimtare e afatgjatë. Kur fjalët nuk përkojnë me veprat ka një problem, e në këtë rast, ka një problem serioz. Shqipëria nuk do të mbështesë asnjëherë dhe do të kundërshtojë prerazi dhe me forcë çdo veprim që i fryn zjarrit të konfliktit”, shtoi ai.

 

Ai ka kërkuar që Beogradi të reflektojë dhe dënojë aktin terrorist duke treguar në këtë mënyrë vullnet për shtensionim të situatës.

 

“I takon Serbisë të bëjë një proces hetimi të thellë dhe serioz”, tha ai.

 

Në përfundim, Hasani nënvizoi se rruga e vetme e duhur për dhënien fund të tensioneve është dialogu, ndaj ftoi palët që të përkushtohet për gjetjen e një zgjidhjeje në dobi të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *