Hasani: Kosova në NATO, prioritet, ndërkombëtarët të reagojnë ashpër ndaj Serbisë

Ministri për Evropën dhe punët e Jashtme, Igli Hasani ka nisur një tur treditor rajonal i cili synon thellimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes vendeve.
Ndalesën e parë e bëri në Kosovë, ku u prit nga homologia Donika Gërvalla e nga ku dërgoi një mesazh të qartë për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Kosova ka një aleat të përjetshëm që është Shqipëria, në çdo rast në të mirë e të keqe Shqipëria do të jetë këtu pranë Prishtinës, ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon e kufij, bëjmë thirrje faktorëve nuk i çohen ushtri fqinjit te kufiri, askush nuk duhet të vazhdojë këtë lojën, garancia NATO ku Shqipëria është pjesë.”
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, të dy ministrat bënë thirrje për ndëshkim ndërkombëtar ndaj autoriteteve të Beogradit, si urdhërues të sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
“Mungesa e ndëshkimit bart në vete rrezikun e përsëritjes, prandaj jo vetëm për hir të paqes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, por sidomos për hir të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në gjithë rajonin, bashkësia ndërkombëtare duhet të mos mbetet e heshtur, por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë për destabilizim të vendeve fqinje”
Ministri Hasani bëri të ditur edhe prioritetet e punës së përbashkët të dy ministrive.
“Përditësimin e strategjisë për rivitalizimin e njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, NATO…. “
Pas takimit me homologen Gërvalla, kryediplomati shqiptar do të bisedojë me zyrtarë të tjerë të qeverisë së Kosovës, përfaqësues të opozitës si dhe komandantin e KFOR. Nga Prishtina, ministri do të vijoje turin rajonal në Maqedoninë e Veriut e më pas në Malin e zi./vizionplus.tv/




