Pas debateve të kohëve të fundit mbi ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, Ministri Gjerman për Europën, Michael Roth i konsideron zhvillimet, fantazi dashakeqe që cenojnë qëndrueshmërinë në rajon. Duke folur për DW, Roth siguron se qeveria sllovene është tërhequr nga ide të tilla.

 

MICHAEL ROTH

MINISTER PER EUROPEN, GJERMANI

 

“Ndryshimi i kufijve nuk zgjidh asnjë problem në Ballkanin Perëndimor. Përkundrazi, do të ishte shumë i rrezikshëm dhe do të kërcënonte rihapjen e Kutisë së Pandorës, e cila është plot konflikte. Prandaj jam i qetësuar që qeveria sllovene është distancuar qartazi nga fantazitë për ndryshimin e kufijve. Sepse askush në Europë nuk mund të ketë interes për këtë.”

 

Ministri gjerman për Europën gjithashtu garanton se propozime të kësaj natyre nuk do të jenë pjesë e diskutimeve në BE dhe se strategjia e zgjerimit nuk parashikon asnjë ndryshim kufijsh.

 

“Pozicioni im është i qartë: fantazitë për zhvendosjen e kufijve më në fund i përkasin njëherë e përgjithmonë një të kaluare të dështuar. Strategjia e zgjerimit dhe strategjia e BE-së dhe ajo ndaj Ballkanit Perëndimor nuk parashikojnë asnjë demarkacion të kufijve. Kjo është një gjë e mirë, dhe duhet të qëndrojë kështu!”

 

Michael Roth gjithashtu shtoi se Bashkimi Europian e ka treguar në cdo rast se qëndron në mbështetje të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, procesi i Berlinit gjithmonë duhet të mbështetet me projekte konkrete dhe të prekshme që perceptohen pozitivisht nga njerëzit në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *