Subscribe

Ministri i Brendshëm Taulant Balla theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë prioriteti kryesor i punës së Ministrisë dhe strukturave të varësisë. Ministri Balla i bëri këto deklarata në seancën plenare në Kuvend ku po diskutohet një rezolutë për luftën kundër korrupsionit.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike janë sot prioriteti ynë kryesor. Është domosdoshmëri jetike për vendin, për të ardhmen, thellimi i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar e mbi të gjitha fenomenit të pandëshkueshmërisë, në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet, duke vendosur në fokus, në fokusin e shoqërisë shqiptare dhe të gjitha institucioneve të shtetit ku natyrshëm një rol të rëndësishëm merr padyshim edhe Policia e Shtetit”, u shpreh ministri Balla në fjalën e mbajtur.

Ai u shpreh se tashmë vendi ka hyrë në një fazë intensive që na shkëput nga e kaluara kur persona të ndryshëm i shmangeshin drejtësisë apo kur gjykata i lironte nga akuzat

Sot jemi në një moment të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se rezultatet e arritura deri tani janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit, të epokës së pa ndëshkueshmërisë. Këtu besoj që ka prej jush që bashkëndajnë vlerësimin tonë se në territorin e kësaj republike, sikurse në karriget e kësaj salle nuk mund të ketë as politikanë të paprekshëm, e as të fortë lagjesh mbi ligjin dhe mbi qytetarët. Mos harroni asnjë herë se nuk ka qenë e largët dita kur syresh prej të dy racave i shmangeshin drejtësisë, më keq akoma i ndalonte policia, ngrinte akuza prokuroria, por gjykata i nxirrte nga dera e pasme pas pagesës si në një treg gjeje të gjallë”, theksoi Ministri.

Duke folur për progresin e bërë nga vendi unë në luftën kundër kriminalitetit, ai shtoi se Shqipëria ka pasur përmirësimin e më të dukshëm gjatë vitit 2023 në raport me të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë.

Viti 2023 shënoi dhe numrin më të ulët të vrasjeve kriminale: 35 krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe me 124 në vitin 2012. 28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar. Iniciativa Globale Kundër Korrupsionit dhe po ashtu Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, në raportin e publikuar për vitin 2023, ka vënë në dukje se Shqipëria ka shënuar dhe progresin më të madh krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ulur nivelin e kriminalitetit me 0.46 pikë, krahasimisht me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe duke e nxjerr përfundimisht Shqipërinë nga 10 vendet e para më nivelin më të lartë të krimit të organizuar dhe me një përmirësim të dukshëm krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Ministri Balla në këtë seancë plenare.

Ministri u ndal gjithashtu edhe në procesin e vetëpastrimit të strukturave të Policisë së Shtetit duke e konsideruar këtë si të pakthyeshëm.

Rritja e performancës së Policisë së Shtetit lidhet në mënyrë të pandashme me procesin e vetëpastrimit, e cila tashmë ka hyrë në një fazë të re për të çrrënjosur një herë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e policisë së shtetit elementët e dëmshëm të inkriminuar apo shkelës së etikës, të cilët njollosin punën e palodhur të mijëra e mijëra uniformave blu që shërbejnë me vendosmëri të palëkundur shtetit të së drejtës dhe në mbrojtje të qytetarëve të këtij vendi”, theksoi Ministri në fjalën e tij.

Në lidhje me çështje të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë dhe transparencën ndaj publikut, Ministri Balla bëri me dije edhe disa detaje nga projekti “smart-city” që po implementohet me mbështetjen e qeverisë së Emirateve të Bashkuara.

Projekti i rëndësishëm SMART CITY për 20 qytetet kryesore të vendit, kryesisht qytete e mëdha dhe ato që kanë fokus zhvillimin e turizmit, do të na japi mundësinë jo vetëm për rritjen e sigurisë publike, përmirësimin e monitorimit të territorit, por natyrshëm edhe ngritjen në një nivel tjetër të rolit që luan Policia e Shtetit në bashkëveprim me institucione, me agjencitë e tjera ligj zbatuese”, bëri me dije Ministri i Brendshëm.

Ministri ironizoi në fjalën e tij në lidhje me qëndrimet e disa deputetëve të opozitës, të cilët kanë bërë flamur beteje imazhin e një politikani të shpallur “non grata” për korrupsion nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Disa prej deputetëve të opozitës valëvisin një fotografi të shëmtuar, të një personi të shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe me përmbajtjen “akte korruptive që kanë minuar demokracinë”, shtuar këtu faktin që po i njëjti në atë fotografi, është sot nën akuzë zyrtare për korrupsion nga drejtësia, prandaj dua t’i them sot qytetarëve shqiptarë se rezultatet e arritura deri tani janë vetëm fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit. Na duhet domosdoshmërisht ta thellojmë këtë revansh të nisur, e natyrshëm duke ndarë mes njëri tjetrit ndërgjegjësimin se kjo i shërben një herësh si vlerë e shtuar dhe e patjetërsueshme e procesit të anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian”, nënvizoi Balla./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *