Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, prof. Arben Gjata Rektor i UMT dhe prof. Xheladin Draçini, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, zhvilluan një takim të parë konsultativ me studentë të Fakultetit të Mjeësisë, me qëllim punësimin dhe kontributin e tyre në atdhe pas përfundimit të studimeve, për një periudhë të caktuar kohore.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se që kjo ide të vihet në zbatim duhet të kemi një dakordësi së bashku me studentët.

 

“Ne duhet që të kemi një dakord si të gjithë bashkë, ta kuptojmë të gjithë se sa e rëndësishme është kjo. Një ide e jona është që secili prej jush, të gjithë studentët e programit mjekësi e përgjithshme, duke filluar nga viti i ardhshëm është që të nënshkruhet një marrëveshje paraprakisht me universitetin dhe dy ministritë, që pas studimeve ju do të qëndroni të jepni minimumi tre vite kontribut për Shqipërinë, për shoqërinë, për atdheun. Se është edhe patriotike veç të tjerave. Nëse ka nga ata që nuk janë dakord me këtë alternativë, mund ti propozohet çmimi real, kostoja reale, pra të paguajnë tarifën” – tha Ministrja Kushi.

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh se ky nuk është vetëm një kontribut për vendin, por edhe një mundësi që studentët të mundet të marrin më shumë eksperiencë për formimin profesional.

 

“Kjo çfarë ne propozojmë nuk është një praktikë unikale në botë, është një praktikë që e përdorin shumë vende, të cilat duan dhe projektojnë dhe punojnë jo vetëm për të sotmen, por edhe për të nesërmen. Punojmë për atë angazhim të madh që ne të gjithë së bashku kemi, për t’u kujdesur për shëndetin e fëmijëve, prindërve, gjyshërve dhe kjo është ajo që ne na drejton në punën tonë të përditshme. Të gjitha këto politika dhe programe që ne ndërmarrim, bëhen me këtë synim, për t’i paraprirë sfidave që bota po i has, ashtu sikurse dhe ne, por edhe për të ndërtuar programe të cilat të kenë qëndrueshmëri dhe mbi të gjitha, të realizohem në kohën e duhur. Ky është një kontribut për vendin, por nga ana tjetër dhe një mundësi që ju të mundet të merrni më shumë eksperiencë, duke u futur në planet tona afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të burimeve njerëzore në Shqipëri, por edhe duke patur një garanci më shumë, shtetin që do të kujdeset për formimin tuaj profesional edhe pas përfundimit të studimeve, duke ju punësuar në sistem, duke ju trajnuar në vazhdim, duke vijuar dhe kujdesur për specializimin tuaj në të ardhmen”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

 

Ndërsa rektori i universitetit të mjekësisë Prof. Dok. Arben Gjata u ndal te reformat e ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre viteve, saç është mbajtja e të rinjve në vendin tonë.

 

“Mjekësia është një nga prioritet kryesorë që ka qeveria shqiptare. Faktikisht edhe takimi i sotëm është një prezantim i atyre politikave që mendon të ndjek qeveria shqiptare që është mbajtja e trurit në vend. Një nga pikat thelbësore që është interes shumë i madh i qeverisë shqiptare, lidhet me politikat që mjekët të formohen në Shqipëri dhe të punojnë për një kohë të gjatë më Shqipëri, mundësisht të punoni gjithë jetën më Shqipëri duke iu krijuar kushte sa më të mira, qoftë dhe sa i përket edukimit.”- shprehet rektori i UMT, Prof. Dr. Arben Gjata.

 

Rektori tha se çdo vit janë bërë politika për rritjen e numrit të studentëve të mjekësisë, një ndër to është edhe rritja e kuotave për studentët e mjekësisë ku për këtë vit akademik shkojnë në 500 kuota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *