Subscribe

Ndërsa dimri është në prag, ministri i energjisë Damian Gjiknuri nga Peshkopia kërkoi angazhim më të madh të strukturave të OSHEE në terren. Për shkak edhe të motit të keq që pritet në ditët në vijim, Gjiknuri tha se duhet të ndërhyhet në zonat ku do të ketë defekte të linjave.

 

 “I kërkova të gjithë drejtuesve këtu të mbajnë ritmin e punës pasi përpara kemi sezonin e dimrit e mund të ketë probleme. Duhet të jemi në gjendje të ndërhyjmë menjëherë në ato zona ku mund të ketë defekte për shkak të motit. Duhet të bëjmë dhe një riorganizim të punës, ndarje më të mirë të stafit teknik në terren. Elektricistët duhet të jenë më afër njësive administrative të vogla.”

 

Ndërsa Ministri i Financave Arben Ahmetaj i ka kërkuar fermerëve të zonës, që të pajisen me NIPT, nga administrata tatimore me qëllim formalizmin e sektorit të bujqësisë, por edhe që të kenë mundësi që të përfitojnë mbështetje financiare.

 

Inspektimet e ministrit të energjisë janë në vazhdën e mbledhjes dyditore të qeverisë në Dibër. Edhe ministra të tjerë të kabinetit zhvilluan takime me drejtues të institucioneve të varësisë në qytetin verilindor.

 

Gjatë vizitës në Dibër, ministrja e arsimit dhe Lindita Nikolla u ndal tek shkolla 9 vjeçare në Radomirë. Gjatë takimit Nikolla theksoi se në këtë mandat të dytë objektivi i qeverisë është mësuesi.

 

 “Qeveria ka realizuar një buxhet të konsiderueshëm per vitin 2018-te që ne të kemi një ndërhyrje sa më cilësore në mbështetje të mësuesve pa dyshim, sepse ato janë prioriteti ynë si dhe në të gjitha klasat kolektive në vend. Një tjetër prioritet i qeverisë shqiptare, të cilin kryeministri e ka përmendur është që deri në fund të mandatit paga e mësuesve të arrijë nivelin  deri në 40% të pagës aktuale.”

 

Ndërkohë Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore Dibër, Margarita Markja tregoi se në këtë shkollë janë dhe 3 fëmijë me aftësi të kufizuar, të cilëve u ofrohet mësimi në shtëpi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *