Ministrat e Jashtëm arabë kundërshtojnë propozimin e Trump për transferimin e palestinezëve

Ministrat e Jashtëm arabë kundërshtuan sot transferimin e palestinezëve nga territoret e tyre, duke paraqitur një qëndrim të unifikuar kundër Presidentit të SHBA Donald Trump, i cili sugjeroi që Egjipti dhe Jordania të pranojnë banorë nga Rripi i Gazës.
Në një deklaratë të përbashkët pas një takimi në Kajro, ministrat e Jashtëm dhe zyrtarët nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Autoriteti Palestinez dhe Liga Arabe thanë se një veprim i tillë do të kërcënonte stabilitetin në rajon, do të përhapte konfliktin dhe do të minonte perspektivat për paqe.
“Ne riafirmojmë refuzimin tonë të çdo përpjekjeje për të rrezikuar të drejtat e patjetërsueshme të popullit palestinez, qoftë nëpërmjet dëbimeve apo aneksimit të tokave apo përmes braktisjes së territoreve nga pronarët e tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët, raporton Reuters.
Në tekst, nënshkruesit theksojnë gjithashtu se mezi presin të punojnë me administratën Trump me synimin për të arritur një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme, bazuar në zgjidhjen me dy shtete.
Takimi erdhi pasi Donald Trump tha javën e kaluar se Egjipti dhe Jordania duhet të marrin palestinezët nga Gaza, të cilën ai e quajti “një terren të rrënuar” pas 15 muajsh bombardime izraelite që kanë lënë mijëra të pastrehë
Kritikët thanë se ky propozim përbën spastrim etnik./vizionplus.tv



