Shqipëria është futur zyrtarisht në vitin elektoral, ku vetëm pas disa muajsh shqiptarët brenda dhe jashtë vendit do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë por dhe ata që do t’i qeverisin në katër vitet e ardhshme.
Periudhë kjo që nxeh edhe motorët e forcave politike, por edhe përplasjet se kush do të jetë në listë e kush jashtë saj.
Për të folur për listat e kandidatëve dhe zgjedhjet e ardhshme ishte i ftuar në Quo Vadis të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, një nga socilaistët më të vjetër sot në Kuvendin e Shqipërisë, Erion Braçe.
I pyetur se kush duhet të jenë në listën e mbyllur ata që cilësohet zona e sigurtë, Braçe tha se aty duhet të jenë vetë të rinjtë që janë evidentuar në zonat e tyre brenda Partisë Socialiste.
Sa ju përket zyrtarëve të lartë nga deputetët aktualë, ministrat, apo edhe Drejtorët e Përgjithshëm, Braçe tha se ata të gjithë duhet të jenë në fushë betejë dhe të luftojnë e punojnë për çdo votë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Po ata që rishtazi shfaqen në lista, ndodhta që nuk janë dëgjuar më parë, dhe ju punoni për ta?
Braçe: Këtu unë kam një rezervë shumë të madhe. Nga këta që hyjnë për herë të parë në lista, ka që kanë qenë ministra. Normalisht ministrat nuk mund të konsiderohen si një djalë apo vajzë e re në një territor të caktuar brenda PS. Patjetër që ai në ose ajo meritojnë të mbështeten duke qenë në këtë pjesë të sigurt. Kjo kategori që kanë qenë ministra, kryetarë bashkie, apo drejtues këta duhet të jenë pjesë e fushëbetejës, ku në çdo rast ajo që duhet të prevalojë duhet të jetë merita.





