Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli është shpallur Qytetare Nderi e Komunës së Drenasit. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Kodheli tha se këtë nderim ia kushton babait të saj të ndjerë që kishte punuar fort për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi.

 

Sipas njoftimit për media, kryetari i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci priti fillimisht në sallën e mbledhjeve ministren Kodheli. Më pas vijoi seanca solemne në sallën e Kuvendit të Komunës, ku dekretin e shpalljes “Qytetare Nderi e Komunës”, e lexoi kryesuesi i Kuvendit, Naim Bazaj.

 

“Zonja e nderuar, Mimi Kodheli shpallet Qytetare Nderi e Komunës për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e pakursyer për çlirimin e Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës dhe vënien e interesave të Kosovës në axhendat integruese euro-atlantike. Për personalitetin e fuqishëm motivues dhe inspirues të lartësimit të gruas shqiptare në Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe të fuqizimit të saj duke qenë në vendimmarrje. Dëshmoi me angazhimin e saj të pashoq se gruaja shqiptare denjësisht ka promovuar dhe lartësuar vlerat kombëtare”, thuhet në motivacionin që shoqëronte dhënien e këtij titulli.

 

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci vlerësoi se ministrja Kodheli me përkushtim të pashoq, ka lartësuar Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar. “Keni argumentuar fuqinë e barazisë gjinore, dëshmuat aftësinë e gruas shqiptare në politikë dhe vendimmarrje. Vendin e rezervuar për burrat e Shqipërisë, për Ministrinë e Mbrojtjes, e udhëhiqni me dinjitet. Ju keni vijuar rrugën e grave të shquara të kombit, si ministre shqiptare në NATO, duke prezantuar kombin tonë dhe Republikën e Kosovës me aspiratën për të qenë pjesë e saj. Lidhja juaj emocionale me Kosovën, në veçanti me heroinat e Drenicës, na motivuan t’ju shpallim Qytetare Nderi e Drenasit dhe Drenicës së Komandantit tonë legjendar Adem Jashari”, tha kryetari Lladrovci duke i dhuruar titullin “Qytetare Nderi e Komunës”, ministres Kodheli.

 

Pas shpalljes Qytetare Nderi, ministrja Kodheli ju drejtua të pranishmëve. “Jam e privilegjuar dhe shumë e nderuar që gjendem sot në Komunën tuaj, në zemrën e rezistencës shqiptare dhe që bëhem qytetare e kësaj toke të shenjtë. Ju falënderoj pafundësisht të gjithë ju deputetë që me keni votuar, veçanërisht kryetarin e kësaj Komune, Ramiz Lladrovci. Kjo tokë, sa është e shenjtë, aq është edhe hyjnore, ngase nga kjo tokë kanë dalë shumë burra e gra që para jetës së tyre, kanë vënë sakrificën sublime për lirinë e vendit. Këtë nderim që më bëni ju sot, i dedikoj babait tim të ndjerë që punoi fort rreth dyzet vite më parë për pavarësinë e kësaj toke, dhe brezave të rinj”, tha ministrja Kodheli.

 

Pas përfundimit të seancës solemne, Kodheli bëri homazhe pranë varrit të dëshmorëve Fehmi e Xhevë Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *