Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, dënoi kundërshtimin nga ana e presidentit Zoran Millanoviq, ndaj ofertës së Ministrisë së Mbrojtjes që ushtarët ukrainas të trajnohen në Kroaci.

 

“Shteti kroat, me vendimet e Qeverisë, ka muaj që e mbështet ushtarakisht Ukrainën. Bëhet fjalë për politikën e Kroacisë në kuadër të aktiviteteve më të gjera të Bashkimit Evropian”, tha Pllenkoviq, më 19 tetor, në mbledhjen e Qeverisë kroate.

 

“Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Gërlliq Radman, në takimin e Këshillit të BE-së më 17 tetor, bashkë me 20 ministra të tjerë të punëve të Jashtme të vendeve anëtare, ka shprehur në parim gatishmërinë e Kroacisë për të marrë pjesë në trajnimin e ushtarëve ukrainas”, tha Pllenkoviq.

 

Ai gjithashtu shtoi se bashkë me Kroacinë, 12 vende të tjera kanë shprehur gatishmërinë që këtë trajnim ta kenë në territorin e vendeve të tyre.

 

“Shpreh shqetësimin tim për reagimet e presidentit Millanoviq dhe aq më tepër për mbështetësit e tij në Parlament, të cilët në esencë po ekspozojnë pikëpamjet e tyre pro-ruse”, tha kryeministri kroat.

 

Disa parti opozitare të qendrës së majtë dhe parti opozitare të krahut të djathtë mbështetën kundërshtimin e Millanoviqit për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Kroaci.

 

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kroacisë ka konfirmuar më herët se janë gati që oficerët e atij vendi të fillojnë trajnimin e ushtarëve ukrainas.

 

“Në kuadër të trajnimeve ekzistuese, jemi të gatshëm të presim kursantë të huaj, në përputhje me planet dhe procedurat ligjore”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Mbrojtjes për mediat kroate.

 

Por, presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Millanoviq, u shpreh kundër përfshirjes së ekspertëve në trajnimin e ushtarëve dhe tha se nuk i pëlqen kjo ide.

 

“Nuk e mbështes këtë ide, sepse unë nuk e mbështes përfshirjen e Kroacisë në këtë luftë më shumë sesa duhet. Ne jemi specifik, solidar dhe kaq. Unë si komandant i përgjithshëm nuk do ta miratoj këtë”, u ka thënë Milanoviq gazetarëve, më 18 tetor.

 

Këshilli i Bashkimit Evropian, në takimin e mbajtur një ditë më parë, krijoi një mision për ndihmë ushtarake në Ukrainë (EUMAM Ukraine).

 

Bëhet fjalë për misionin e parë të këtij lloji, të cilin BE-ja e ndërmerr kolektivisht. Sipas marrëveshjes, deri në 15 mijë ukrainas do të trajnohen në territorin evropian, por lihet mundësia që, në përputhje me nevojat, kjo shifër të rritet.

 

Ndër vendet që kanë ofruar territorin e tyre për stërvitjen e ushtarëve ukrainas janë, përveç Kroacisë, Gjermania dhe Polonia.

 

Sipas mediave kroate, instruktorët mund të trajnojnë inxhinierë ukrainas dhe shpëtimtarë luftarakë (ushtarë me trajnim shtesë mjekësor për të ofruar ndihmën e parë në terren).

 

Trajnimi ushtarak profesionale nuk është i panjohur për ekspertët kroatë pasi ata ta tashmë kanë qenë të përfshirë në stërvitjen e ushtrive afgane dhe malazeze.

 

Sipas Ligjit për mbrojtjen, hyrja e ushtarëve të vendeve aleate në Kroaci për stërvitje dhe trajnim përcaktohet me vendim të Qeverisë kroate, me pëlqimin paraprak të presidentit të Republikës. Aprovimi i presidentit kërkohet për numrin e ushtarëve nga lloji i kompanisë, pra deri në 200 persona.

 

Në rast se Millanoviqi vë veton ndaj vendimit të Qeverisë së Kroacisë, ekziston mundësia që Parlamenti me shumicë prej dy të tretash ta rrëzojë veton e Komandantit të Përgjithshëm, përkatësisht të presidentit.

 

“Jutarnji list” i Zagrebit, menjëherë ka pyetur partitë parlamentare nëse e mbështesin qëndrimin e Millanoviqit, duke pasur parasysh opsionin e mundshëm të anashkalimit të vetos së tij me një shumicë prej dy të tretash në Parlament, gjegjësisht refuzimin e dhënies së pëlqimit të tij për ardhjen e ushtarëve ukrainas në Kroaci për trajnim.

 

Tani për tani, kundër shfuqizimit të vetos dhe mbështetës i qëndrimit të Millanoviqit do të ishte shumica e opozitës së majtë dhe të djathtë – Partia Socialdemokrate e Kroacisë, Social Demokratët, Most (Ura) kleriko-popullist, opozita e djathtë Lëvizja e Atdheu dhe Partia opozitare Fshatare Kroate. Janë 49 përfaqësues nga gjithsej 151, aq sa ka në Parlamentin kroat. Shumicën e nevojshme prej dy të tretash e përbëjnë 101 përfaqësues./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *