Militantët lirojnë djalin e Gadaffit

Prej gjashtë vitesh djali i dytë i ish-diktatorit libian Muammar Gadaffi, Saif Al Islam mbahej në burg nga një grup militant, por rrëmbyesit e tij kanë njoftuar se e kanë lënë të lirë pas një amnistie. Grupi theksoi se lirimi erdhi pas kërkesës së qeverisë së përkohshme libiane, të vendosur në lindje të Libisë.
44-vjecari nuk është shfaqur në publik, por ky veprim mund te nxisë destabilitet në vend. Saif Al Islam Gadaffi mbahej nga batalioni Abu Bakr al-Siddiq në qytetin e Zintanit dhe sipas informacioneve, ai gjendet tashmë në zonën e Tobrukut në lindje të Libisë. Lajmin për lirimin e konfirmoi edhe avokati i tij, pa treguar qytetin për ku u largua, për arsye sigurie.
I biri i ish-diktatorit është dënuar me vdekje në mungesë nga një gjykatë në Tripoli, ku kontrollin e ka një qeveri rivale e Pajtimit Kombëtar që mbështetet nga Kombet e Bashkuara.
Saif al-Islami kërkohet gjithashtu nga Gjykata e Hagës për Krime kundër njerëzimit gjate tentativës të të atit për të shtypur revoltën në Libi. Disa informacione të mëparshme për lirimin e Saif kanë rezultuar të pavërteta.
Saif Al islam ishte ndaluar në nëntorin e vitit 2011 teksa përpiqej të largohej drejt Nigerit. I preferuari i Gadafit për pasues te tij në fillim të viteve ‘2000 luajti rol kyç në raportet me perëndimin dhe konsiderohej si figurë reformiste, por gjithçka ndryshoi në revoltën e vitit 2011, kur u ekzekutua edhe i ati i tij.




