Sekretari i ri i shtetit, Mike Pompeo ka marrë zyrtarisht detyrën pasi ka bërë betimin në departamentin amerikan të shtetit. Në vizitën e parë në këtë institucion, ishte i pranishëm edhe presidenti Donald Trump. Ai e vlerësoi Pompeon si një hero të vërtetë amerikan duke e konsideruar të jashtëzakonshme udhëheqjen e tij në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës.
“Mike ka fituar respektin më të thellë, admirimin dhe besimin tim dhe do të kuptoni pse, gjatë viteve në vijim, ndoshta edhe gjatë muajve të ardhshëm. Kam besim absolut se ai do të bëjë një punë të jashtëzakonshme si sekretari i 70-të i shtetit.”
Mike Pompeo u zotua se do të punojë me vendosmëri për t’u ballafaquar me kërcënimet në SHBA jashtë vendit.
“Ne do të përdorim diplomacinë e ashpër kur kjo të jetë e nevojshme, gjithmonë duke vendosur interesat e popullit amerikan të parat. Unë do të punoj për të siguruar sigurinë e tyre, për të ruajtur të drejtat e tyre dhe për të mbrojtur vlerat e tyre. Dhe unë do të siguroj që Amerika të jetë gjithmonë një udhëheqës i respektuar dhe parësor në skenën botërore “.
Edhe përpara konfirmimit të tij si sekretar shteti në Senat, Pompeo mori një rol aktiv në bisedimet e vazhdueshme të denuklearizimit me Korenë e Veriut.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë theksuar se Pompeo do të vazhdojë të luajë një rol kyç në diskutimet me vendin komunist.





