Subscribe

Në prag të referendumit të 30 shtatorit, zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Mike Pence, priti në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev. Me anë të një postimi në Twitter, Pence rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e SHBA-ve për marrëveshjen me Greqinë.

 

“Pritëm kryeministrin Zoran Zaev në Shtëpinë e Bardhë. Rikonfirmuam mbështetjen e madhe për marrëveshjen historike për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të rrisë sigurinë në rajon.”

 

Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, zëvendës presidenti amerikan uroi Kryeministrin Zaev për Marrëveshjen historike të Prespës, duke e përshkruar atë si një zgjidhje afatgjatë e problemit të emrit mes dy vendeve. Nga ana tjetër, ai përcolli mesazhin e presidentit Donald Trump për mbështetjen e Uashingtonit.

 

Ndërkohë kryeministri Zaev me anë të një postimi në Facebook u shpreh se “ky takim vjen në një moment historik për Maqedoninë kur qytetarët e saj pas dhjetë ditësh do të caktojnë kursin e vendit të tyre drejt të ardhmes në NATO dhe Bashkimin Evropian”.

 

“Mundësia që të bisedojmë me zëvendës presidentin e SHBA-së Mike Pence vjen në një moment historik për Republikën e Maqedonisë. Nga zëvendës presidenti Pence morëm porosi inkurajuese për përgjegjësinë dhe vendosmërinë gjatë arritjes së Marrëveshjes së Prespës. Në takim u theksua se me Marrëveshjen e arritur, kemi siguruar vendin e merituar në strukturat euroatlantike. Me këtë marrëveshje, sigurojmë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin për qytetarët tanë”.

 

Zaev vizitoi Shtëpinë e Bardhë me ftesë të zëvendës presidentit amerikan Mike Pence, dhe pasohet pas vizitës së sekretarit amerikan të mbrojtjes Xhejms Matis dhe të ndihmës sekretarit të shtetit, Wes Mitchel në Maqedoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *