Subscribe

Max Kirschner është një turist gjerman që vjen për herë të parë në Gjirokastër. Ai ka dëgjuar më herët për emrin e Ismail Kadaresë dhe vizita në shtëpinë e tij të lindjes i ngjalli shumë interes.

 

Fotografitë e ekspozuara i kanë dhënë mundësinë të njihet me jetën e autorit dhe Shqipërinë e viteve 90.

 

“Nuk kam dëgjuar për Kadarenë, por këtu në këtë shtëpi nëpërmjet ekspozitës së fotove mësova shumë rreth jetës së tij dhe të shqiptarëve të viteve 90. Gjithçka mu duk impresionuese. Nga këndvështrimi ynë fillimet e viteve 90 në Shqipëri kanë një interes të shtuar për t’u zbuluar dhe ne jemi këtu të bëjmë një kërkim historik rreth këtyre viteve dhe fakteve që e shoqërojnë.”

 

 

Për një tjetër turiste, Felicitas Meier, Shqipëria dhe Kadareja kanë qenë të panjohura. Ajo ka mbetur e impresionuar nga arkitektura e shtëpive karakteristike gjirokastrite.

 

Shtëpia ishte shumë e bukur, me impresionoi vërtet shumë. Çdo gjë ishte ruajtur në origjinalitetin e saj pavarësisht se ishte rinovuar.

 

E shndërruar tashmë në një qendër multikulturore shtëpia Kadare renditet ndër më të vizituarat nga turistët edhe pse emri i Ismail Kadare për jo pak prej tyre mbetet i panjohur. Prej janarit 2016, kur kjo shtëpi – muze hapi dyert numëron rreth 20 mijë vizitorë vendas e të huaj, me një rritje prej 20% në vitin e dytë të funksionimit të saj.

 

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga destinacionet kryesore të turizmit në vend. Sipas të dhënave zyrtare numri i turistëve që vizitojnë qytetin pasuri të UNESKO-s vetëm në dy vitet e fundit është dyfishuar, duke shkuar në mbi 50 mijë në vit.

 

Ndërsa këtë vit qyteti i gurtë synon të arrijë një shifër prej 100 mijë vizitorësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *