Mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit Lima të Perusë prej ku u pritën me gaz lotsjellës dhe u përplasën me forcat e sigurisë, vetëm disa orë pasi presidentja Dina Boluarte bëri thirrje për një “armëpushim” pas dy muajsh protesta.

 

Kjo ishte demonstrata më e madhe dhe më e dhunshme që nga e enjtja e kaluar, kur protestuesit kërkuan dorëheqjen e Boluartes, shpërndarjen e Kongresit dhe zgjedhje të menjëhershme.

 

Pavarësisht thirrjes për një armëpushim, shumë protestues, si Blanca Espana Mesa, mendojnë se presidentja nuk është treguar e sinqertë.

 

“Ne nuk mund të kemi një armëpushim kur ajo nuk e thotë të vërtetën”, tha protestuesja.

 

Të martën, policia hodhi gaz lotsjellës teksa bllokoi kalimin e protestuesve, të cilët dukeshin më të organizuar se në protestat e kaluara, raporton Asocciated Press.

 

“Vrasës”, bërtitën protestuesit, disa prej të cilëve hodhën gurë në drejtim të policisë.

 

Edhe pasi shumica e protestuesve ishin larguar, policia vazhdoi të hidhte gaz lotsjellës për të shpërndarë grupe të vogla njerëzish në një shesh përpara Gjykatës së Lartë të vendit.

 

Para javës së kaluar, shumica e protestave të mëdha antiqeveritare u zhvilluan në rajone të largëta të Perusë, duke nxjerrë në pah një ndarje midis kryeqytetit dhe fshatit në vend.

 

Që nga fillmi i protestave anti-qeveritare në Peru, 56 njerëz kanë vdekur, 45 prej të cilëve vdiqën në përleshje të drejtpërdrejta me forcat e sigurisë./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *