Në Angli, një grevë katërditore e planifikuar nga dhjetëra mijëra mjekë javën e ardhshme mund të çojë në shtyrjen e rreth një çerek milionë vizitash mjekësore, tha të shtunën një zyrtare e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë së Madhe.

 

Dr. Layla McCay, me Shërbimin Shëndetësor Kombëtar të Britanisë së Madhe, NHS, tha se ndikimi pritet të jetë më i madh se greava treditore e muajit të kaluar nga mjekët e rinj, çka çoi në shtyrjen e 175,000 vizitave dhe procedurave mjekësore.

 

“Ndikimi do të jetë aq i madh sa ka të ngjarë të prekë sigurinë shëndetësore të pacientëve dhe përbën shqetësim për çdo drejtues të kujdesit shëndetësor”, tha zonja McCay për rrjetin “BBC Radio 4”.

 

Greva e planifikuar për të martën nga të ashtuquajturit mjekët e rinj është e fundit në një valë protestash nga punonjësit e sektorit publik që kërkojnë rritje të pagave për të kompensuar inflacionin në shkallën mbi 10%.

 

Rritja e kostos së jetesës, e nxitur nga rritja e theksuar e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, ka bërë që anglezët të kenë vështirësi t’i përballojnë faturat, ndërsa rrogat e punonjësve të sindikatave nuk reflektojnë tregun gjatë dekadës së fundit.

 

Javën e kaluar, punonjësit e zyrës së pasaportave filluan një grevë pesëjavore dhe punonjësit e sigurisë në aeroportin Heathrow braktisën punën për një afat dhejtëditor. Grevat nga drejtuesit e trenave dhe autobusëve, punonjësit e postës, shoferët e ambulancave dhe infermierët kanë shkaktuar probleme për britanikët.

 

Arsimtarët, të cilët refuzuan kohët e fundit një rritje page si të papranueshme, planifikojnë të organizojnë greva më 27 prill dhe 2 maj, duke sjellë shqetësime për prindërit dhe nxënësit./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *