Presidenti Ilir Meta kërkoi këtë të shtunë nga autoritetet të zbardhin menjëherë vrasjen e ndodhur në Elbasan.

 

Meta tha në një konferencë për mediat se hetimet duhet të kryhen jashtë çdo ndikimi politik.

 

Ai drejtoi disa pyetje për Prokurorinë e Elbasanit, duke ngritur dyshime se provokuesit e konfliktit janë lënë të lirë me qëllim.

 

“A janë të përfshirë në këtë ngjarje persona me precedentë penalë? Nëse po, cilët janë emrat e tyre?  Pse Policia e Shtetit nuk ka kryer ende ndalimin dhe shoqërimin e tyre? A janë këta persona të përfshirë në këtë ngjarje të njëjtët që shoqëronin kryeministrin në Elbasan në Ditën e Verës? A është marrë dëshmia e punonjësve të policisë të pranishëm në ngjarje? Pse ata nuk kanë reaguar për të neutralizuar përplasjen me armë? Pse u lejua largimi nga vendi i krimit i personave të përfshirë?A ka qenë i mbuluar ambienti me kamera sigurie? Nëse ka patur zvarritje, cilët janë përgjegjësit? A u është lënë kohë për të fshirë pamjet? A është Prokuroria e Elbasanit në konflikt interesi për këto hetime? Në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë edhe funksionarë të lartë dhe deputetë, a duhet SPAK të fillojë hetimet? Që sot t’u jepet përgjigje këtyre pyetjeve! Çdo zvarritje, frymëzon edhe më shumë çdo element kriminal. Çdokush që ka shkelur ligjin, duhet të ndëshkohet tani, sot, jo nesër, as pasnesër!”

 

Më tutje, kreu i shtetit deklaroi se e gjithë kjo ngjarje mund të ishte shmangur nëse prokuroria do të kishte hetuar një kallëzim të PD për përplasjen e Ditës së Verës në Elbasan.

 

Presidenti akuzoi organet hetimore se kanë bërë ping-pong me këtë kallëzim, që hetimi të kryhet pas zgjedhjeve dhe emrat problematikë të kishin mundësi të blinin vota.

 

“Duket qartë se SPAK dhe Prokuroria Elbasan kanë bërë çmos që personat e kallëzuar nga PD për krimet zgjedhore, të mos hetohen para zgtjedhjeve. Për shkak të këtyre vonesave të qëllimshme, kriminale, më 21 prill ndodhi edhe konflikti i armatosur. Nëse SPAK do të vepronte në kohë, këta 40 persona të kallëzuar nga PD do të ishin në burg dhe nuk do të kishim asnjë viktimë e asnjë të plagosur.”

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *