Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi këtë të mërkurë një vizitë zyrtare në Principatën e Monakos me ftesë të Lartësisë së Tij të Përndritur, Alberti II, Princ i Monakos.
Pasi u prit me nderime të larta shtetërore, Presidenti Meta dhe Princi Albert II zhvilluan një takim mjaft konstruktiv.
Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e marrëdhënieve ekonomike, konkretizimi i mëtejshëm i projekteve të përbashkëta në fushat e shkencës dhe mjedisit, si dhe identifikimi i fushave të tjera të bashkëpunimit, ishin në qendër të bisedimeve mes Presidentit Meta dhe Princit Alberti II.
Të dy autoritetet e larta vlerësuan se Shqipëria dhe Principata e Monakos janë të vendosura për intensifikimin e marrëdhënieve.
Pas takimit zyrtar, Princi Albert II dekoroi Presidentin Meta, me titullin më të lartë të Principatës së Monakos, Medaljen e Kryqit të Madh të Urdhërit të Shën-Karlit, në vlerësim të angazhimit të Tij konkret për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në përfundim të vizitës zyrtare, Presidenti Meta vizitoi një nga qendrat më të rëndësishme shkencore të Principatës, Muzeun Oqeanografik.