Subscribe

Ashtu siç kishte njoftuar dhe pak ditë më parë, presidenti Ilir Meta thërriti këtë të premte të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në një takim, ku nëse i kthehemi pas vetë fjalëve të tij, në qendër të diskutimeve mendohet se ka qenë denoncimi i databazës së të dhënave si dhe shitblerja e votës.

 

Deri më tani nuk ka asnjë informacion nga ana e Presidencës lidhur me këtë takim, e aq më pak nga selitë diplomatike. Por ajo që vihet re, është se pas takimit, kreu i shtetit me anë të një postimi në “Facebook”, ka bërë apel për pjesëmarrje në votime dhe për të treguar qytetari.

 

Por këtë herë, me tone shumë më të zbutura e pa përdorur akuza ndaj Edi Ramës. Hera e parë kjo prej disa kohësh.

 

“Të gjithë i kanë sytë te Shqipëria, vendi më problematik i rajonit dhe i Europës për zbatimin e standardeve të demokracisë dhe të zgjedhjeve. Le të manifestojmë me qytetari dhe kulturë demokratike, vullnetin tonë të lirë për zgjedhjen e përfaqësuesve tanë në drejtimin e vendit. Prandaj, në këto orë të mbetura nga Referendumi historik i 25 Prillit, bëj thirrje, që të shmanget çdo incident artificial dhe provokim i qëllimshëm, që synon të dëmtojë zgjedhjet dhe imazhin e Shqipërisë.”

 

Takimi i presidentit vjen vetëm një ditë pasi ambasadorët zhvilluan një takim me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve Celibashi dhe bënë thirrje në unison kundër tensionit e dhunës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *