Meta takon kryediplomatin sllovak

Kryetari i kuvendit Ilir Meta i ka bërë të qartë zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajçak, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, se fryma e konsensusit gjatë votimit të reformës në drejtësi do të vazhdojë edhe me ligjet e tjera. Gjatë takimit në Bratislavë, Meta vlerësoi mbështetjen që Sllovakia i jep proceseve integruese të Shqipërisë. Ai shprehu besimin se me miratimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, Shqipëria do të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për fillimin sa më parë të negociatave për anëtarësim. Siç raporton zyra e shtypit pranë Kuvendit të Shqipërisë, Lajçak shprehu besimin se politika e zgjerimit nuk do të ndikohet nga zhvillimet e fundit në Evropë dhe inkurajoi Shqipërinë të thellojë reformat, duke nisur me zbatimin e reformës në drejtësi.




