Subscribe

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë vizitës në Uashington është pritur në Kongresin Amerikan nga kreu i Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave, Kongresmeni Pete Sessions dhe nga Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare Kongresmeni, Michael McCaul. Çështja e sigurisë dhe lufta kundër terrorizmit ka qenë në qendër të bisedës, ku u theksua nevoja për përforcimin e bashkëpunimit. Duke biseduar mbi krizën e refugjatëve, kryeparlamentari Meta nënvizoi se situate të tilla duhen parandaluar përpara se të përhapen më tej. Ai theksoi se Shqipëria po bën përpjekjet e saj, jo vetëm në përballimin e kësaj krize migratore, por edhe në luftën kundër terrorizmit, të cilën e cilësoi si një sfidë globale, jo thjesht rajonale. Nga ana e tyre, Kongresmenët Pete Sessions dhe Michael McCaul vlerësuan përpjekjet e Shqipërisë në konsolidimin e shtetit të së drejtës.

“Miqtë tuaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm që kanë besim te Shqipëria, por edhe te populli shqiptar. Ne mbështesim progresin që po bëni. SHBA-të duan që Shqipëria të ketë sukses dhe është e nevojshme që Shqipëria të jetë e suksesshme. Kjo mund të arrihet nëpërmjet lidershipit dhe një ditë më e mirë për Shqipërinë fillon me stabilitetin, paqen dhe duke siguruar që të gjithë shqiptarët të kenë një shans për ta bërë jetën e tyre më të mirë. Dhe marrëdhëniet tuaja me Kongresin amerikan dhe popullin amerikan tregojnë se ne do të jemi aty përkrah jush.”

Gjatë takimit kreu i Kuvendit vuri theksin në përpjekjet e klasës politike shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për realizimin me sukses të reformimit të sistemit të drejtësisë, si kyç për të ardhmen e vendit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *