Meta, Ramës: Po more 71 mandate, merre edhe Presidentin
Presidenti Ilir Meta i tha kryeministrit Edi Rama këtë të mërkurë se nëse më 25 prill PS fiton 71 mandate në rrugë të ndershme, do t’i japë edhe Presidencën.
Gjatë një konference të jashtëzakonshme, Meta e paralajmëroi shefin e qeverisë se nëse preken votat, duhet të gjejë vend ku të futet.
“Dua t’i them edhe një herë kryelidinasit, shumë mirë bëre që pas ulërimave të mia arrestove tre rrugaçët në Kavajë. Më akuzove mua se nxis dhunën në Kavajë, ndërkohë që i dërgove ti dhe shtabi yt. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjë nga këta. Këta i nxit Edi Rama. Këta nuk kanë vajtur për motive të dobëta, t’i lërë policia këto lojëra. Asnjeri që do të përfshihet në krim zgjedhor, nuk do të ketë më vend në administratën e Shqipërisë, pas 25 prillit. Ta kenë të qartë. Policia të bëjë detyrën, do të çoj edhe një listë me emra në kërkim. Nuk dua më jo një pikë gjaku të shqiptarëve të derdhet për zgjedhje, por nuk dua asnjë pikë loti. Secili të votojë sipas mendimit të tij. Nëse edi Rama merr 71 mandate në mënyrë të ndershme, do t’i jap edhe mandatin e Presidentit. Nëse prek një votë, Edi Rama nuk do të gjejë vrimë ku të futet.”




