E diel, 27 Shtator 2026 Film TV deri në 22:30 Në vijim ora 22:30: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Meta: Ramës i takonte të kërkonte shtyrjen e datës së zgjedhjeve

Presidenti Ilir Meta ka bërë sërish thirrje palëve që të lexojnë me seriozitet Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të thellohen dhe të shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore që u kam ofruar për gjetjen një zgjidhjeje urgjente për krizën, përfshirë dakordësimin e një date të re zgjedhjesh.

 

Gjithashtu në konferëncën për mediat kreu i shtetit i pyetur edhe nga gazetarët ka zbardhur disa prapaskenat e marrjes së vendimit për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale.

 

Meta deklaroi se Lulzim Basha, kryetar i opozitës, është njoftuar për dekretin e shfuqizimit të 30 qershorit, rreth orës 19:10 të 8 qershorit. Biseda telefonike me Bashën, tha Meta, është e regjistruar.

 

“Zoti Basha këtë vendim e ka marrë vesh vetëm në orën 19:10 përmes një telefonate zyrtare, dhe për dijeninë tuaj, zoti Basha nuk e ka ditur por le ta marrë vesh tani, e cila ka qenë e regjistruar përmes sekretarisë, ku i është kërkuar të ndërpritet mitingu në çdo moment që do të ketë një manifestim dhune, natyrisht duke i bërë të ditur edhe faktin tjetër që do të bëhej publik, vendimi për të shfuqizuar dekretin për zgjedhjet në mënyrë që të ç’tensionohej sa më shumë manifestimi apo grupet e caktura dhe po kështu që të përfundonte sa më shpejt ai manifestim”.

 

Gjithashtu Meta ka theksuar se dreka e zhvilluar me zotin Berisha nuk ishte sekret. Ndër të tjera Meta është shprehur se gjatë gjithë kësaj periudhe  zhvilluar disa takime sekrete me kryeministrin Edi Rama.

 

“Kemi patur një drekë sekrete, kemi patur disa dhe më e fundit në Pallatin e Brigadave përpara 10 ditësh, ku kemi biseduar dhe ku ai e di shumë  mirë dhe e ka ditur gjithmonë sesa i shqetësuar unë jam për këtë situatë dhe për tejkalimin e saj. I takonte atij si kryeministër të kërkonte shtyrjen për një datë tjetër për zgjedhjet vendore”.

 

Gjithsesi, presidenti theksoi se nuk e kishte njoftuar Ramën më 8 qershor për vendimin për anulimin e datës së zgjedhjes, ndërkohë që ka patur një përpjekje për t’u lidhur me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Vazhdo të lexosh