Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta përmbylli procesin e rithemelimit të forcës politike që krijoi 20 vite më parë, duke lënë jashtë forumeve të drejtuesve, ish-kryetaren, bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi e duke prezantuar programin elektoral të Partisë së Lirisë.
Por nëse ka një gjë që nuk ka ndryshuar në vizionin e Ilir Metës dhe Partisë së Lirisë është vendosmëria për të zhbërë reformën në drejtësi.
Gjatë mbledhjes së komitetit drejtues kombëtar Meta listoi ato që ai i cilëson dështimet të reformës duke nisur nga harta gjyqësore tek procesi i vetingut që sipas tij është i kontrolluar politikisht ashtu siç është sipas Metës çdo hallkë e sistemit të drejtësisë
“Ramaformen do ta hedhim në Lanë”, tha Meta.
Sipas Metës 8 vite pas miratimi të reformës në drejtësi, partia që drejton vendin është e vetmja që ka fituar
“Qytetarët humbën edhe ato standarde minimale që i garantonte drejtësia e vjetër. Po kush fitoi, fitoi Rama me Veliajn dhe koordinatori Engjëll Agaçi”, tha Meta.
Përtej kritikave për reformën në drejtësi, Ilir Meta shpalosi programin elektoral të Partisë së Lirisë ku dy prioritetet kryesore lidhen me rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Komiteti drejtues i Partisë së Lirisë zgjodhi ekipin e ri drejtues me të cilin Ilir Meta do të udhëheqë Partine e Lirisë drejt zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.





