Meta: Rama mburret me firmat e dënimeve me varje, po shtyp opozitën

Presidenti Ilir Meta sulmoi sërish kryeministrin Edi Rama. Duke kujtuar ekzekutimin e “Grupit të Deputetëve” në tetor të 1947, Meta akuzoi Ramën se babai i tij ka qenë një ndër ta që dha vendimin për varjen e poetit Havzi Nela. Sipas kryetarit të shtetit, për këtë vendim kryeministri mburret. Ai bëri thirrje në rrjetet sociale që të gjithë të reagojnë sepse Edi Rama sot po tenton të zhbëjë opozitën me qëllim që të qëndrojë në pushtet.
“Fatkeqësisht, vendi drejtohet nga një regjim autokratik që tenton të marrë formën e një junte, ku Kryeministri në detyrë mburret me krenari nga foltorja e Kuvendit një-partiak për vendimin e babait të tij për varjen e poetit Havzi Nela, kur në të gjithë Europën Lindore po frynte era e ndryshimeve demokratike. Duke nderuar kujtimin e “Grupit të Deputetëve” që sakrifikuan jetën e tyre për Lirinë dhe Demokracinë, është detyra e të gjithëve ne të mbrojmë sot këto vlera që rrezikohen sërish nga një Sekt pa vlera, pa nder e pa Atdhe, si Rilindja, e përfaqësuar nga bijtë e etërve gjakatarë, që mburren me firmat e dënimeve me varje, duke firmosur sot akte për shtypjen e opozitës, asgjësimin e fjalës së lirë e llogaridhënies, sundimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.”
Meta shtoi se sot, si atëherë kur u ekzekutuan deputetët, kemi një parlament monist, që ndryshon Kushtetutën në funksion të oligarkëve.





