Meta: Rama-Basha, pakt për të shkatërruar opozitën e për të shpallur non grata Berishën

Edi Rama dhe Lulzim Basha bënë pakt për të shkatërruar opozitën dhe shpallur Sali Berishën non grata.
Kështu u shpreh kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në emisionin Quo Vadis.
Meta theksoi se Rama dhe Basha si përpjekje themelori kishin zhdukjen e ish LSI , pasi sipas tij ata e shikonin këtë forcë politike si problem serioz për marrëveshjet personale që kishin.
“E vërteta është se Edi Rama kishte totalisht në xhep opozitën para 25 prillit. Gjithçka është e qartë që ishte një inskenim mes tij dhe Lulzim Bashës. Ishin aktet e një opozitarizmi fals në pamje, që krijonte gjoja tension se digjte një kërpudhë atje para Kryeministrisë, por në fakt i dorëzoi atij gjithë Parlamentin dhe e nxori opozitën në rrugë. Jo vetëm kaq, por i krijoi mundësinë që të merrte në tavolinë 100% pushtetin lokal dhe gjithçka tjetër ishte pjesë e një regjie të përbashkët për të garantuar atë shumicë që i duhej Edi Ramës dhe një rezultat që garantonte vazhdimin politik të Lulzim Bashës, më pas pastaj me ato që dihen shpalljen “non grata” të Berishës dhe përpjekjet për të hequr Presidentin në atë kohë. Natyrisht përpjekja e tyre themelore ishte defaktorizimi i ish-LSI-së, si një problem serioz për ta sa i takon mbarëvajtjes së pazareve të tyre personale në kurriz të demokracisë”, tha Meta.




