Meta pret Manastirliun në Presidencë: Bashkë për shëndetin e çdo shqiptari

Presidenti Ilir Meta priti mbrëmjen e kësaj të marte ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe një pjesë të ekipit Task-Force, të cilëve iu ka shprehur solidaritetin dhe përkrahjen në situatën e krijuar nga koronavirusi.
Në një postim në “Facebook”, Meta bëri me diije se në takim theksoi domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve.
“Sot në mbrëmje prita me kërkesën time Ministren e Shëndetësisë, znj.Ogerta Manastirliu dhe një pjesë të ekipit të Task-Force të angazhuar për përballimin e pandemisë së coronavirusit, jo vetëm për t’u shprehur solidaritetin dhe përkrahjen time, por edhe për të ngritur disa shqetësime me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të reagimit institucional.Theksova domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, veçanërisht me qytetarët, si dhe përfshirjen e kapaciteteve njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor, duke e konsideruar këtë hap si vendimtar për suksesin e tejkalimit të kësaj sfide madhore. U interesova për gjendjen aktuale shëndetësore të qytetarëve të prekur nga coronavirusi, dhe shpreha falënderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës që është duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal.”
Po ashtu, nënvizoi edhe rëndësinë e marrjes së plotë të masave mbrojtëse për personelin shëndetësor, si dhe përshëndeti mbështetjen financiare shtesë të miratuar nga qeveria për ta. Ai iu bën thirrje qytetarëve të respektojnë me përpikmëri dhe rigorozitet protokollet shëndetësore.
“Duke theksuar se shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë kryesor, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim i menjëhershëm, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë, i ftoj të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri dhe rigorozitet protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore, dhe për çdo shqetësim t’i drejtohen numrin 127 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë. SË BASHKU PËR TË MBROJTUR SHËNDETIN E ÇDO QYTETARI!”




