E mërkurë, 30 Shtator 2026 Lajmet e Fundit deri në 03:15 Në vijim ora 03:15: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Meta për Il Giornale: Zgjedhjet e qershorit nuk ishin Kushtetuese e as ligjore

Presidenti Ilir Meta ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin se vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta shqyrtojë Dekretin e tij për shtyrjen e zgjedhjeve dhe jo kryeministri.

 

Reklamë

Në një intervistë të dhënë për Il Giornale, presidenti shprehet nëse ai nuk do të kishte nxjerrë dekretin atëherë një përplasje mes dy forcave politike do të ishte e pashmangshme.

 

Meta thekson gjithashtu se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin as ligjore as legjitime.

 

“Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, një përplasje mes dy forcave politike do të kishte qenë e pashmangshme fraksionet politike. Ndërsa unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e kryeministrit ishte që ai nuk e kuptonte që zgjedhjet e mbajtura në këtë mënyrë ishin problem për negociatat. Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm gjykata kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit, për të ardhur keq që veprimtaria e tij të pezullohet nga vullneti i Ramës. Për të kuptuar parregullsinë, mjafton të themi se në të gjashtëdhjetat një bashki në të cilën ata votuan fituan socialistët sepse nuk kishin asnjë kundërshtim si gjatë regjimit komunist”

 

Por krahas krizës politike, Meta ndalet edhe tek audiopërgjimet e publikuara pak kohë më parë nga gazeta gjermane “Bild”. Sipas presidentit Meta, audiopërgjimet janë një nga rastet më të këqia të shtetit të së drejtës, ndërsa I cilëson të papranushme verpimet e organit të akuzës për të mos kryer hetime të thella në lidhje me këtë ngjarje.

 

“Është e papranueshme që vitet e fundit nuk janë bërë hetime të thella për këto ngjarje, është një nga rastet më të këqija të funksionimit të shtetit të së drejtës, zgjedhjet e rregullta janë zgjidhja për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ne gjithashtu kemi nevojë për masa të forta për të zhdukur problemin e drogës, fitimet që rrjedhin nga trafiku i drogës janë shumë më të larta në Shqipëri në krahasim me madhësinë e ekonomisë sonë në krahasim me kombet më të mëdha si Italia apo Gjermania”

 

Intervista e plote e Presidentit per Il Giornale

 

President, pas vendimit tuaj për të shtyrë zgjedhjet lokale më 30 qershor dhe zgjedhjen e qeverisë për t’i realizuar ato, si kanë ndryshuar marrëdhëniet midis jush dhe kryeministrit Edi Rama?

 

Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet më 13 tetor, një datë jo e rastësishme, sepse më 18 tetor do të vendoset nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të ishte e pashmangshme një përplasje mes dy kampeve politike.

Në një kohë që unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e Kryeministrit ishte që ai nuk po e kuptonte se zgjedhjet e zhvilluara në këtë mënyrë ishin problem për negociatat me BE-në.

Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të kundërshtojë dekretin e Presidentit. Është për të ardhur keq që deri më sot veprimtaria e gjykatës është pezulluar me vullnetin e Ramës. Për të kuptuar parregullsinë e këtyre zgjedhjeve, mjafton të mendosh faktin se në të gjitha 61 bashkitë ku u zhvilluan votime, fituan socialistët sepse nuk kishin asnjë kundërshtar si gjatë regjimit komunist.

 

E keni seriozisht?

 

Do t’ju them më shumë: jo vetëm që partia e Kryeministrit ka zgjedhur të gjithë

kryetarët e bashkive, por edhe të gjithë anëtarët e këshillave bashkiakë, përfshirë edhe qytetin e Tiranës. Rezultati i pjesëmarrjes u shpall pas më shumë se njëzet ditëve dhe ishte zyrtarisht 23%, por në të vërtetë ishte më i ulët.

 

Disa javë para zgjedhjeve në 30 qershor, e përjavshmja gjermane “BILD” publikoi një seri përgjimesh për politikanët e Partisë Socialiste, zyrtarë të Policisë dhe elementë të krimit të organizuar, gjë që tregon se shumë marrëveshje ishin rezultat i shkëmbimit të votave, duke nxjerrë zbuluar një sistem korrupsioni shqetësues. Çfarë mendoni për këtë histori?

 

Është e papranueshme që vitet e fundit nuk është bërë asnjë hetim i thelluar për këto ngjarje. Është një nga rastet më të rënda të funksionimit të shtetit të së drejtës, zhvillimi i zgjedhjeve të rregullta është zgjidhja kryesore për krizën aktuale. Nevojiten masa të forta për të zhdukur problemin e drogës, fitimet që vijnë nga trafiku i drogës janë shumë më të larta në Shqipëri sa i përket dimensioneve të ekonomisë sonë sesa në vendet më të mëdha si Italia apo Gjermania.

 

Kanë ngjallur debat edhe disa deklarata tuaja-t ku denonconit influencën e Sorosit në Shqipëri. Cila është marrëdhënia midis “Shoqërisë së Hapur” dhe reformës së sistemit të drejtësisë shqiptar? Në ç’mënyrë ka ndikuar Soros?

 

Ne jemi një komb i vogël dhe duhet të jemi të kujdesshëm në një epokë globalizimi si kjo aktualja për të ruajtur vlerat që qëndrojnë në themelet e Shqipërisë, duke nisur nga identiteti ynë. Duhet të mbrojmë interesat tona kombëtare pa përfunduar në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë. Unë nuk jam një populist, por një realist që dëshiron të mbrojë Shqipërinë.

 

Cili është statusi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian?

 

Unë besoj se anëtarësimi ynë në Bashkimin Europian është i nevojshëm, megjithëse progresi i bërë deri më sot nuk është shumë inkurajues. Ajo që më shqetëson më shumë është emigrimi me ritme të larta i të rinjve,është e nevojshme të krijohen perspektivat në të ardhmen për të rinjtë që vendosin të largohen nga Shqipëria. Çdo vit dhjetëra mijëra njerëz largohen nga vendi ynë dhe nëse vazhdojmë kështu, do të përballemi me shpopulliminqë ngjason me atë të viteve ‘90-të pas rënies së komunizmit. Nëse asokohe kjo gjë ishte e kuptueshme, sot nuk është më kështu sepse duhen përgjigje efikase nga politika.

 

 

 

 

Më shumë video

Reklamë