Subscribe

Arrestimin e ish-ministrit të PD-së Spiro Ksera, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i rezervon vetes të drejtën të mos e komentojë. Nga Gjirokastra, qytetin ku policia të premten në mbrëmje, i vuri prangat Kserës, kryeparlamentari thotë se gjithçka i takon institucioneve të drejtësisë.

“Nuk kam asgjë për të thënë, sepse kjo çështje i takon drejtësisë. Ne mbështesim pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe nuk ndërhyjmë në to”

Të njëjtin qëndrim parimor, Ilir Meta thotë se mban edhe ndaj mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, çështje kjo, pjesë e reformës në drejtësi. Ai thotë se nuk ka përplasje me socialistët për këtë moment të reformës.

“Nuk ia vlen të merremi me spekulimet e shtypit. LSI nuk i personalizon institucionet, por mban qëndrime parimore”.

Një tjetër reformë e rëndësishme është edhe rishikimi i Kodit Zgjedhor. Mendimet e ndryshme, thotë kreu i Kuvendit mbi temën e listave të hapura apo të mbyllura, janë në të mirë të debatit.

“Mendimet e ndryshime nuk i konsiderojmë konflikt, por mundësi e mirë për të hapur diskutime dhe gjetur zgjidhje në interesin më të mirë. Komisioni ende nuk ka nisur pune. Atje ku ju shihni duele, unë shoh duete”.

Cështja e listave, është  nje nder pikat me te debatuara ende pa nisur reforma elektorale, pasi partitë e vogla kërkojnë te ndryshojnë formulën e vendosur nga  PS e PD.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *