Subscribe

Presidenti Ilir Meta refuzon ftesën e Komisionit të Ligjeve që të paraqitet këtë të enjte përballë deputetëve, për t’u ballafaquar me ta për kërkesën për shkarkimin.

 

Në një letër zyrtare, Meta shprehet se nuk paraqitet dot në mbledhje sepse ka një agjendë të paracaktuar.

 

Ai do të zhvillojë takime me ministren austriake dhe presidentin e Sllovenisë.

 

“Duke ju garantuar se kjo datë e lirë në agjendën e Presidentit nuk përmban asnjë qëllim për t`ju penguar në ushtrimin e misionit të paligjshëm që ju është ngarkuar, ju bëjmë me dije se, Presidenti i Republikës nuk mund të anulojë apo të shmangë agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën tashmë janë të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit.”

 

Meta propozon si datë për “përballjen” e tij me deputetët 10 majin dhe ka një arsye për këtë.

 

“Sigurisht që agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021. Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nuk do të kishte një moment më të përshtashëm që një aktivitet i tillë i përbashkët, të zhvillohej në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, që evokon përpjekjet e parreshtura të shtetit shqiptar për shtetin e së drejtës!”

 

Koha 24 orë që Kuvendi i kishte lënë në dispozicion të përgatitej, për kreun e shtetit është e pamjaftueshme. Sipas tij, gjithë ky nxitim bëhet për të shmangur vëmendjen nga parregullistë e procesit zgjedhor.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *