Subscribe

Për më shumë se 3 orë, ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte në SPAK për çështjen e privatizimit të kompanisë energjetike, të njohur me emrin “CEZ-DIA”, dosje e cila u rihap në prill të vitit të kaluar.

 

Meta u thirr si person që ka dijeni, pasi ka qenë ministër i Tregtisë, Ekonomisë dhe Energjetikës. Vetë kreu i Partisë së Lirisë, mohoi çdo lidhje me këtë çështje, ndërsa e konsideroi thirrjen e tij në SPAK si të ndikuar politikisht.

 

Sot kuptova që kishte të bënte me çështje Cez dhe Cez-Dia. Kjo është stërpërsëritur dhe aktivizohet sa herë rilindja është në krizë. Gjatë 4 muajve si ministër i ekonomisë që kam qenë, nga fundi i shtatorit deri në janar, CEZ jo vetëm që nuk ka përfituar nga qeveria, por kemi qenë në debate të vazhdueshme për mungesën e performancës së tyre dhe për shkak të situatës së investimeve.

 

Elvis Matajn, ish-drejtorin e kompanisë DIA, që është konsideruar si person kyç në zbardhjen e kësaj çështjeje, Meta e konsideroi mashtrues.

 

Mashtrim ordiner, është përjashtuar nga LRI që në vitin 2005, Kush i ka dhënë udhëzimet që të pritet Ilir Meta në SPAK? Nga Kongresi i Partisë. Ilir Meta është ai që e kanë njohur dhe e njohin të gjithë qytetarët shqiptarë.

 

Po ashtu ish-kreu i shtetit u shpreh se kjo është një lojë politike e mazhorancës, ndërsa shtoi se gjatë kohës që është bërë kontrata, ai ka qenë në opozitë.

 

Të gjitha faktet dhe aktet tregojnë që Ilir Meta s’ka asnjë shqetësim dhe s’ka asnjë problem në këtë drejtim. Endri Fuga bën portalet, portalet krijojnë shqetësimin e arsyeshëm dhe lindin çështjet. Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me procesin e privatizimit të CEZ, kam qenë në opozitë. Nuk kam asnjë lidhje me marrëveshjen CEZ-DIA. Kjo marrëveshje është bërë kur Ilir Meta nuk ka qenë ministër Ekonomie.

 

Për këtë dosje në vitin 2017 është dënuar ish-administratori kompanisë DIA, Kastriot Ismailaj me 11 vjet heqje lirie, për mashtrim me pasoja të rënda dhe për pastrim parash.

 

Asokohe, gjykata urdhëroi edhe sekuestrimin e parave, që u fituan përmes krijimit të një skeme mashtrimi, pasi kompania DIA ishte e ngarkuar të mblidhte borxhet e pashlyera nga pagesat e faturave të energjisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *