Meta në ‘sinkron’ me opozitën: Listat e hapura 100%, populli zgjedh më mirë se kryetarët

Presidenti Ilir Meta është në unison me opozitën kur bie fjala për hapjen e listave. Të premten opozita jashtë Parlamentit doli me propozimin që listat të happen 100%.
Të njëjtin mendim ndan edhe kreu i shtetit. Ai tha në “Facebook” se qytetarët mund të zgjedhin më mirë se kryetarët e partive se nga kush do të përfaqësohen në Parlament.
“Listat e hapura 100 % janë e vetmja rrugë për rivendosjen e parlamentarizmit dhe llogaridhënies në vend. Populli do të zgjedhë shumë më mirë se Kryetarët, të cilët i kthyen deputetët në kartonngritës shkatërrues të interesit publik, shtetit ligjor dhe demokracisë. Bashkë me deputetët populli duhet të zgjedhë drejtpërdrejt në të ardhmen edhe Presidentin e Republikës. Koha që shqiptarët të zgjedhin dhe të flasin vetë! SOVRANITETI NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË I PËRKET POPULLIT! ????????”
Pas mbledhjes së Këshillit Politik të premten, PD-LSI po ushtrojnë presion ndaj mazhorancës që të pranojnë hapjen e plotë të listave, dhe jo 2/3.




