Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte i pranishëm në festimet e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Maqedoni me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit.

 

Presidenti Meta, së bashku me Kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi morën pjesë dhe ndoqën Koncertin festiv të mbajtur mbrëmjen e djeshme në Shkup me rastin e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, ku ishin të pranishëm shumë deputetë, ministra, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik.

 

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

 

“Jam shumë i lumtur që marr pjesë në festimet e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe këtu në Shkup. Si sot 110 vjet më parë, në Manastir përfundoi punimet Kongresi i Alfabetit tonë, që na dha alfabetin e njehsuar të gjuhës sonë të bukur shqipe, gjuhën e të gjithë shqiptarëve kudo ku jemi dhe jetojmë. Është kënaqësi që në këtë përvjetor jubilar, edhe në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë u miratua ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, si vullnet i përbashkët për bashkëjetesë dhe mirëkuptim për të gjithë qytetarët e vendit të tyre”.

 

Duke vënë në dukje se ky vit shënon edhe 550-vjetorin e ndarjes, jo nga jeta, por i vulosjes së përjetësisë së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Heroit Kombëtar të shqiptarëve, por edhe të Europës, Presidenti Meta nënvizoi faktin se jeta, vepra dhe luftërat e tij janë udhërrëfyesi më i mirë për të gjithë ne, për identitetin dhe përcaktimin tonë europian.

 

“Ky vit, ka qenë një vit i sfidave të mëdha, por edhe i shpresave të mëdha, jo vetëm për Shqipërinë, por sidomos për Maqedoninë dhe të gjithë rajonin tonë. Parlamenti i Maqedonisë miratoi ligjin për gjuhën shqipe që është mirëpritur nga të gjithë ne. Marrëveshja e Prespës është një hap i rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin tonë. Për integrimet euro-atlantike, për paqen dhe sigurinë afatgjatë. Rajoni ynë ka kaluar shumë vështirësi dhe sfida. Është koha për më shumë bashkëpunim, respekt reciprok, bashkëjetesë dhe mirëkuptim. Respektimi i pakicave dhe minoriteteve është vlerë e shtuar për të gjitha vendet e rajonit tonë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *