Presidenti Meta ishte në Derviçan të Bashkisë Dropull, ku vlerësoi tre personalitete të minoritetit etnik grek, me kontribute të shquar për sportin shqiptar.

Kreu i Shtetit u prit nga autoritetet vendore, përfaqësues politikë, dhe banorë të zonës, sipas traditave të spikatura të minoritetit, me këngë e valle polifonike në gjuhën greke.

Presidenti Meta vendosi një buqetë me lule në bustin e futbollistit të shquar të Ekipit tonë Kombëtar, Lefter Millo, si dhe vizitoi ambientet e qendrës sportive që mban emrin e tij, ku u takua me talentet e reja sportive, të cilët i inkurajoi të ecin në gjurmët e legjendës së futbollit.

Meta vlerësoi Lefter Millon (pas vdekjes) me titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Si një prej talenteve më të shquara të futbollit shqiptar, i cili shpalosi në fushën e blertë aftësi dhe cilësi të spikatura si mesfushor me tipare sulmuese.

Ai demonstroi në mënyrën më sipërore përsosmërinë teknike, forcën dhe energjinë e jashtëzakonshme, si dhe sedrën sportive me fanellën e Ekipit Kombëtar Shqiptar, ‘Luftëtarit’ dhe ‘Partizanit’, dhe së fundi, me ekipin grek të Larisës. Thjeshtësia dhe sjellja e tij e kulturuar ishin tipare që e lartësonin edhe më tej emrin e tij si futbollist i madh”. 

Gjithashtu, Kreu i Shtetit nderoi Kristo Ndrico me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Për kontributin e çmuar në fushën e sportit, pjesë e Ekipit Kombëtar Shqiptar të volejbollit.

Ndërsa me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, Presidenti Meta vlerësoi Sokrat Papadhopulli “Për kontributin dhe angazhimin e tij të shquar në jetën publike si mësues i talentuar, gazetar i përkushtuar dhe intelektual i njohur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *