Presidenti Ilir Meta deklaroi se 25 prilli do të jetë një ditë referendumi. Nga Durrësi, ku pati një takim me përfaqësues të Shoqatës “Durrësi Autokton”, kreu i shtetit deklaroi se zgjedhjet parlamentare të prillit do t’i kthejnë shenjtërinë votës.

 

“Meqenëse jemi në prag të zgjedhjeve historike të 25 prillit, çdo gjë fillon nga çkapja e votës, nga vota e lirë dhe shenjtërimi i saj. Ndaj është momenti, që 25 prilli të jetë një ditë referendumi për të vendosur shenjtërinë e votës në këtë vend, në mënyrë, që si vota e Presidentit, si e qytetarit më të thjeshtë të jetë përfundimisht e barabartë! Më 25 prill kemi një mundësi historike të rivendosim në funksion rendin kushtetues, shtetin e së drejtës dhe njëkohësisht të garantojmë fuqinë e qytetarit mbi pushtetin, mbi të zgjedhurin dhe t’i kthejmë këta në shërbim të tyre! Më 25 prill populli vendos shenjtërinë e votës dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për 100 vitet që do vijnë. Në Kushtetutë thuhet qartë: “Sovraniteti i përket popullit në Republikën e Shqipërisë. Sovrani flet përmes votës së lire.””

 

Ai paralajmëroi se kushdo që prek votën, do të duhet të përballet edhe me pasojat. Ilir Meta i bëri thirrje shoqërisë civile të bashkëpunojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

“Asnjë qytetar nuk ka të drejtë nesër të kërkojë llogari nëse nuk shkon për të votuar. Asnjë qytetar që tregton votën e tij, nuk ka të drejtë të kërkojë llogari, sepse ai që ta blen votën ka humbur çdo detyrim ndaj teje. Në demokraci vota është fuqia më e madhe që ka një qytetar, sepse vota të fuqizon, vota të shfuqizon. Vota të zgjedh, vota të ndëshkon. Unë besoj që populli ynë është shumë i qartë dhe shumë i ndërgjegjshëm, për këtë çështje. Ju e dini që zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kryekushti i Bashkimit Europian, po mbajnë peng këtë proces të çeljes së negociatave të vendit tonë”, shtoi më tej presidenti Ilir Meta.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *