Subscribe

Presidenti Ilir Meta doli në një konferencë të posaçme për mediat pas qetësimit të situatës në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës. Kreu i shtetit përdori tone të ashpra ndaj qeverisë kur foli para gazetarëve.

Ai tha se është i tronditur nga situata që u krijua dhe gishtin e drejtoi nga qeveria për këtë.

“Ditët e fundit jeni tronditur nga situata e jashtëzakonshme humanitare në Kakavijë, ku mijëra emigrantë e shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshaur i lanë të braktisur e në kushte tejet të vështira. Kam qenë e mbetem bashkëpunues me qeverinë për tu bërë pjesë e sensibilizimit e duke apeluar mbi përgjegjshmerine që secili duhet të marrë për të kapërcyer së bashku e me sa më pak kosto situatën e pandemisë. Situata në Kakavijë ka të bëjë vetëm me përgjegjësitë e paushtruara në kohën e duhur nga qeveria shqiptare ndaj shtetasve të saj. Si shpeshherë, qeveria gjen justifikime duke drejtuar gishtin nga ana tjetër e kufirit. Ndërkohë që është përgjegjesia e saj parësore te merret me shendetin e shtetasve te saj.”

Presidenti deklaroi se përgjegjësinë për situatën kaotike e ka vetëm qeveria. Sipas tij, ajo duhet të ishte angazhuar për të parandaluar gjithçka ndodhi.

Meta shtoi se Edi Rama duhet të mbante përgjegjësi jo vetëm si kryeministër, por edhe si ministër i Jashtëm.

“Përgjegjësia është vetëm mbi qeverinë shqiptare, radhë ka pasur dhe në situata normale në këtë kohë dhe Kakavija mban ngarkesë jo normale e muaji gusht mbetet tepër i ngarkuar aq më tepër në kushtet e sivjetshme. Radhët e gjata janë të pajustifikuara nga autoritetet tona, një qeveri e përgjegjshme nuk reagon pas krijimit të situatave, por parandalon. Askush nga institucionet nuk i njoftoi qytetarët, qeveria për më tepër fajësoi dhe vetë qytetarët për krijimin e radhëve të gjata.”

Nga ana tjetër, Ilir Meta konfirmoi se për zgjidhjen e krizës është angazhuar edhe ai vetë, duke dialoguar me autoritetet greke.

Për pesë ditë me radhë, qindra shqiptarë ngecën në Kakavijë e Kapshticë për shkak të rregullave të vendosura nga Greqia për t’u futur në shtetin fqinj.

Temperatura përvëluese, radhë kilometrike, tensione e përplasje ishte ajo çka na shoqëroi gjatë këtyre pesë ditëve. Pasditen e të dielës gjërat u qetësuan. Tani nga Kakavija lejohen të futen vetëm 750 qytetarë, ndërsa nga Kapshtica 300 njerëz.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *