Presidenti Ilir Meta i doli në mbrojtje demokrates Grida Duma, figurën e të cilës e denigroi një ditë më parë kryeministri Edi Rama me anë të një fotoje.
Në rrjetet sociale, Meta tha se Rama duhet të kërkojë ndjesë publike. Ai e quajti këtë një akt të papranueshëm dhe theksoi se nuk mund të bëhet politikë në këtë mënyrë.
“E dënoj me ashpërsi dhunën verbale dhe linçimin publik, të papranueshëm për traditën shqiptare dhe çdo shoqëri demokratike, të bërë ndaj zonjës, njëherazi nënë e një fëmije të mitur, Grida Duma. Asnjë ndarje politike nuk mund t’i japë të drejtë revanshit të rrugaçërisë, për më tepër kur këto sulme të papranueshme për moralin njerëzor dhe etikën institucionale, konsumohen nga personat e veshur me autoritetin e shtetit. Duke besuar në reagimin e fuqishëm të shoqatave që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të grave, i bëj thirrje Kryeministrit ende në detyrë, të kërkojë ndjesë publike dhe të tërheqë mbrapsht sulmin dhe fjalorin ordiner të përdorur ndaj zonjës Duma.”





