Subscribe

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zhvilloi sot homazhe në varrezat e dëshmorëve në nderim të shqiptarëve që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë në përfundim të luftës së dytë botërore.

Ndryshe nga aleati i tij Sali Berisha, i cili nuk e njeh datën 29 si festen e çlirimit, Meta deklaroi se sot është një ditë krenarie për shqiptarët.

Por diferencat mes Ilir Metës dhe Sali Berishës duket se kufizohen tek debati për datën e çlirimit, pasi të dy drejtuesit e partive opozitare do të jenë bashkë në 6 dhjetor në protestën kundër qeverisë Rama.

ILIR META

KRYETAR I PARTISE SE LIRISE

“Pa asnjë diskutim që në 6 dhjetor ne do jemi të gjithë për të brohoritur dhe një herë tjetër që do e bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa. Një vend të lirë ku t’i jepet fund kapjes së shtetit e instalimit të mafies në pushtet. Një vend ku askush të mos e frenojë më aspiratën për t’u anëtarësuar në BE.”

 

 

Edhe Meta theksoi se protesta do të zhvillohet para selisë së qeverisë, duke hedhur poshtë propozimin e bashkisë së kryeqytetit, që tubimi të mbahet në sheshin Skënderbej për arsye sigurie.

“Siguria në Shqipëri është nën kërcënimin e mafias në pushtet dhe kurrsesi të qytetarëve të lirë. Së dyti nuk është protestë ndaj kryetarit të bashkisë, pasi bileta e tij është pa kthim më 14 maj. Në Shqipëri nuk ka asgjë dhe s’duhet të ketë asgjë më të rëndësishme se kushtetuta dhe mbi kushtetutën është populli europian i Shqipërisë.”

Pak ditë më parë, policia nëpërmjet një letre i kërkoi Partisë Demokratike që të mos e zhvillojë protestën në bulevardin Dëshmoret e Kombit, pasi kjo zonë është brenda perimetrit të sigurisë së përcaktuar për shkak të zhvillimit të samitit të vendeve të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Por opozita ka përsëritur se mesditën e 6 dhjetorit do të mblidhet për të protestuar para selisë së kryeministrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *