E mërkurë, 30 Shtator 2026 Film TV deri në 23:59 Në vijim ora 00:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

Meta: Masat kufizuese të jenë në përputhje me Kushtetutën, të shmangen dënimet e ashpra

Presidenti Ilir Meta bëri thirrje që çdo masë kufizuese e vendosur nga qeveria të jetë në zbatim të Kushtetutës dhe duke marrë parasysh rrezikun e jetës së qytetarit.

Reklamë

Ai përshëndeti në “Facebook” qëndrimin e Këshillit të Evropës për domosodshmërinë e mbrojtjes së demokracisë dhe pluralizimit gjatë pandemisë. Kryetari i shtetit tha se dënimet e ashpra duhet të shmangen sa të jetë e mundur.

“Veprimet dhe masat e qeverive, për kufizimin e së drejtës së jetës private, lirisë së ndërgjegjes, lirisë së shprehjes dhe lirisë së organizimit, tërheq vëmendjen Këshilli i Europës, duhet të vendosen vetëm me ligj, në proporcion me rreziqet dhe për aq kohë sa është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit. Është me rëndësi që çdo masë kufizuese dhe ligj i ri, të jetë në përputhje vetëm me Kushtetutën dhe me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar. Mbështes qëndrimin për shmangien sado që të jetë e mundur të vendosjes së dënimeve të ashpra penale për moszbatimin e masave kufizuese, pasi siç thekson Këshilli i Europës, ato krijojnë shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të njeriut.”

Në vijim të reagimit, Ilir Meta rezeveroi edhe një thirrje për qytetarët që të zbatojnë të gjitha udhëzimet dhe kufizimet. Megjithatë, ai theksoi edhe një herë se është shumë e nevojshme të zbatohet Kushtetuta dhe të garantohet demokracia.

“Duke i ftuar të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale, theksoj domosdoshmërinë e respektimit të parimeve të demokracisë e shtetit ligjor, Kushtetutës dhe hierarkisë të ligjeve në fuqi dhe konventave ndërkombëtare. Sepse siç nënvizon edhe Këshilli i Europës: “Sfida, me të cilën përballen sot shoqëritë tona, është një sfidë e paprecedentë. Edhe pas fazës urgjente të kësaj krize, shoqëritë tona do të duhet të gjejnë mënyrat për të vënë në vend dëmet sociale dhe ekonomike dhe për të rritur më tej besimin tek institucionet tona demokratike. Duhet të nisë një reflektim i gjerë për mbrojtjen e individëve dhe grupeve më të prekshme në shoqëritë tona dhe për mënyrat e ruajtjes së të drejtave të tyre në një model më të qëndrueshëm dhe solidar qeverisjeje.””

Vazhdo të lexosh

Reklamë