Meta: Kthimi pas në procesin e integrimit do ishte fatale, jemi ende në kohë për të reflektuar
Presidenti Ilir Meta shprehet se kthimi prapa i procesit të integrimit do të ishte fatale për vendin.
Në një postim në “Facebook”, kreu i shtetit tha se metodologjia e re e Bashkimit Evropian na ka paralajmëruar të gjithëve se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim.
Ai theksoi se janë ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga “politika e vendosjes përpara faktit të kryer”.
“Jemi të gjithë të paralajmëruar nga metodologjia e re e Bashkimit Europian, që thekson se aty ku përparimi nuk është i vërtetë do të ketë ndëshkim, deri në kthim prapa të procesit të integrimit dhe arritjeve të deritanishme. Kjo do të ishte fatale për ne, dhe unë jam i bindur që nuk ka përse të ndodhë, ndërkohë që nuk duhet të harrojmë që 20 vite më parë kur u përfshimë në procesin e Stabilizim Asociimit ishim në një korsi me Kroacinë, dhe shumë më përpara Malit të Zi apo Serbisë. Ndaj besoj se jemi ende në kohë për të reflektuar, duke nisur me heqjen dorë nga politika e vendosjes përpara faktit të kryer, e cila e minon dialogun, bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet palëve”, shkruan Meta.




