Meta kthen në Kuvend një tjetër ligj: Krijon hapësirë për pastrimin e parave

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin “për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.
Sipas kreut të shtetit, ky ligj krijon hapësirë për pastrimin e parave si edhe shmang detyrimet fiskale në vend, ndërsa vlerëson se miratimi i këtij ligji cenon stabilitetin e monedhës vendase.
“Në këtë rast, është momenti që të reflektohet mbi faktin se, zhvillimi tregjeve financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, kërkon patjetër plotësimin e parakushteve, në mënyrë të veçantë adresimin e standardeve të dobëta të qeverisjes së korporatave, dhe nga ana tjetër forcimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore mbikëqyrëse të këtyre tregjeve, për të përballuar në kohë rrezikun që mund të shfaqet. Kjo për të rritur nivelin e sigurisë së produkteve financiare dhe të vetë stabilitetit ekonomiko-financiar, në mbrojtje të interesit publik.” vlerëson Presidenti.
Meta shprehet se miratimi i ligjeve në këtë fushë mbetet ende një risi dhe për vendet e zhvilluara.
“Implementimi i dispozitave të tilla ligjore, në një realitet si ky i yni, bart me vete rrezikun e shumëfishimit të rreziqeve negative që kjo risi paraqet në vende të zhvilluara. Këto rreziqe mund të sjellin pasoja sociale brenda familjeve shqiptare dhe pasoja ekonomike, deri në atë masë sa mund të lëkundin stabilitetin e monedhës vendase, rritjen e inflacionit apo të kursit të këmbimit të lekut me monedha të huaja.”




