Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar qeverinë për shpërdorim të fondeve publike në afera korruptive si ajo e “sterilizimit” dhe privim të qytetarëve nga marrja e shërbimeve mjekësore.
Meta shkruan se qindra gra dhe qytetarë nuk marrin sot shërbime jetike në spital për shkak të mungesës së infrastrukturës.
“Koncesionet korruptive në shëndetësi privojnë pacientët nga shërbimi shëndetësor në onkologji.
Shpërdorimi kolosal i fondeve në shëndetësi me koncesionet korruptive ka krijuar mungesa dhe boshllëqe shumë kritike në shërbime dhe përkujdesje mjekësore ndaj qindra pacientëve të tjerë në shërbimin e onkologjisë.
Është fakt shumë tronditës mostrajtimi i 600 grave paciente me CA gjinekologjik me radioterapi, si dhe mostrajtimi i 200 pacientëve me radioterapi, që vuajnë nga tumoret e lëkurës”, shkruan ai.
Situatën e krijuar, Meta e cilëson si krim ndaj jetës, ndërsa thekson se babëzia për korrupsion nuk kursen asgjë. Reagimi i Metës mbyllet me një thirrje ndaj drejtësisë për të vënë abuzuesit përpara përgjegjësisë.
“Kjo situatë kaq e rëndë e konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit do të thotë që jeta dhe shëndeti i pacientëve të mbetet në mëshirë të fatit dhe pa trajtim mjekësor.
Ky është një krim i vërtetë ndaj jetës dhe shëndetit, dëshmitarë të të cilit janë pacientët e shumtë, por edhe shumë familjarë të tyre.
Babëzia korruptive me koncesionet nuk kurseu pra as jetën e njerëzve.
Drejtësia të veprojë ndaj përgjegjësve sepse korrupsioni i tyre ka krijuar dëm pa kthim siç është humbja e jetës dhe dëmtimi i shëndetit”, thekson Meta.
Nga ana tjetër, akuzave për korrupsion në sistemin shëndetësor, kreu i qeverisë, Edi Rama iu është përgjigjur duke theksuar se puna e bërë në këtë sektor nuk mund të cungohet nga hetimet e SPAK.




