Meta: Koha të shembim një regjim të gënjeshtërt
Presidenti Ilir Meta u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një konferencë për shtyp, kreu i shtetit theksoi se është në mbrojtje të Kushtetutës dhe se vetëm duke shprehur vullnetin me votë mund të shembet regjimi, sipas tij.
“Të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë që ka ndërgjegjësimi i çdo qytetari se vota e tij është fuqia e tij e vërtetë në demokraci. Jam i bindur se këtë fuqi do ta tregojnë më 25 prill. Presidenti ka qenë gjithmonë në anën e Kushtetutës, të interesit publik dhe kombëtar. Presidenti ka qenë gjithmonë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ka theksuar prej kohësh që në themelet e krizës qëndron kriza e legjitimitetit të institucioneve. Presidenti ka vetëm një votë. Vota e tij duhet të jetë e barabartë me votën e qytetarit më të thjeshtë. Presidenti do që çdo qytetar të ndërgjegjësohet se vetëm përmes votës ai do të hapë një rrugë të re për veten e tij dhe për shoqërinë tonë. Kur flas për referendum më 25 prill e them sepse është vendosur në pikëpyetje e ardhmja europiane e Shqipërisë. Vetëm një pjesëmarrje masive në zgjedhje do përmirësojë kredencialet e Shqipërisë. Është koha të shembim një regjim të gënjeshtërt.”




